0“Harta rrugore”, e cila vetëm javën e kaluar ka marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, papritmas humbi besimin e kundërshtarëve të regjimit të Bashar Al-Assad. Kurse vetë Lideri sirian, i cili pranoi të plotësojë kërkesat e OKB-së, u akuzua për ndërmarrjen e përpjekjeve për t’i hedhur hi syve komunitetit ndërkombëtar.

Rusia e përshëndeti pëlqimin e Damaskut për pranimin e planit të Kofi Annan. Por ndryshe nga SHBA, të cilat në konfirmim të synimeve serioze të Assad presin prej tij veprime të menjëhershme, Moska i përmbahet mendimit se tani fjalën e vet duhet ta thotë opozita.

Analisti kryesor i Qendrës peterburgase për Studimin e Lindjes së Mesme bashkëkohore Gumer Isajev vë në dukje si vijon:

- Në fakt, një sërë simptomash tregojnë qartë se vendet perëndimore, po ashtu si dhe përfaqësuesit e shteteve të Gjirit Persik, kanë një dëshirë krejtësisht evidente për të arritur përmbysjen e regjimit të Bashar Al-Assad. Të gjitha kërkesat dhe pretendimet ndaj regjimit, nga njëra anë, janë mjaft abstrakte. Kurse, nga ana tjetër, ato janë të vështira për t’u plotësuar, meqenëse ekziston edhe ana tjetër e konfliktit - ata, të cilët me armë në dorë dalin kundër regjimit të Assad. Është e paqartë nëse do të plotësojnë ata nga ana e vet kërkesën kryesore - armëpushimin.

Për më tepër, opozita në Siri është shumë e përçarë dhe ajo nuk ka një pikëpamje të vetme përkatësisht të ardhmes së Sirisë, theksoi Gumer Isajev.

- Në këtë vend nuk ka një vatër qendrore të kryengritjes, siç ishte ajo në qytetin Benghazi të Libisë. Atje u arrit të krijohet menjëherë Këshilli Kombëtar Kalimtar, i cili vepronte në emër të gjithë kryengritësve. Ndërsa në Siri është krejtësisht e paqartë se kush është me të vërtetë opozita e Assad. Ajo përfaqëson në vetvete një gamë të gjerë forcash të ndryshme që nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ajo që i përshtatet një pale opozitare, nga disa të tjera do të vlerësohet si oportunizëm. E si të merresh vesh, të negociosh me ta në një situatë të tillë?

0Ekspertët mendojnë se plani i Kofi Annan ka shans për t’u zbatuar në qoftë se do të plotësohen disa kushte: forcat e jashtme duhet të ndërpresin çdo lloj mbështetje të kryengritësve, të ndalojnë furnizimin e tyre me armë dhe të pushojnë së premtuari atyre gjithfarë përfitimesh për përmbysjen e Bashar Al-Assad. Përndryshe, kurrfarë iniciativash për zgjidhjen e situatës në Siri nuk do të çojnë në stabilizimin e situatës në vend.

Natalia Kovalenko