0Pyetja e parë, që tingëlloi më shpesh pas likuidimit të kriminelit ishte, se në ç’mënyrë Mohammed Merah, një francez me origjinë algjeriane, që ishte stërvitur jo një herë të vetme në Afganistan dhe Pakistan dhe që nuk i fshihte simpatitë e veta për grupet terroriste islamike, në ç’mënyrë pra, arriti të mos binte në sy të shërbimeve të sigurisë. Nën pikëpyetje janë vendosur jo vetëm çështjet e sigurisë, por edhe politika e emigracionit në Francë. Pyetjeve të “Zërit të Rusisë” iu përgjigj sociologu Zhan Vjar:

- Si reflektojnë ngjarjet e Tuluzës në fushatën presidenciale?

- Në fushatën presidenciale po dalin në pah çështjet e sigurisë dhe terrorizmit, për të cilat as që bëhej fjalë përpara se të ndodhnin këto ngjarje. Është hera e parë, gjatë këtyre 20 vjetëve, që kjo çështje bëhet temë qendrore e debateve parazgjedhore dhe programeve.

- Cili është mendimi juaj, a do t’i ndërrojnë kandidatët orientimet e programve të tyre parazgjedhore?

- Jo, unë mendoj, se ata do të ndryshojnë, kryesisht, tonin. Shoqëria franceze është e tronditur, ngaqë bëhet fjalë për vrasjen e fëmijëve. Pa dyshim, që toni i fushatës presidenciale duhet të bëhet disi më i butë, sepse tani njerëzit duan paqe. Momenti i dytë: zhvillimi dramatik në Tuluzë do të reflektojë dyfish në fushatën presidenciale. Nga njëra anë, gjithmonë në raste krizash të ngjashme, presidenti aktual mishëron pushtetin. Dimë mjaft shembuj, si në Rusi, ashtu edhe në Angli, kur shfaqjet e dhunës në shoqëri kanë shkuar në favor të udhëheqësve aktualë të shtetit dhe ata u rizgjodhën, kryesisht falë asaj, se u gjendën në krye të pushtetit në këtë moment krize. Nga ana tjetër, sërish doli në pah mprehtësisht problemi i integrimit të imigrantëve në shoqërinë franceze. Vështirë të thuhet se si do të reagojnë njerëzit. Ata mund ta mbështesin idenë e bashkimit, në të cilën më së shpeshti këmbëgul kandidati socialist, kur thotë, se në Francë jetojnë së bashku njerëz të religjioneve të ndryshme dhe se duhet shfrytëzuar kjo larmi dhe jo të eliminohet. Përndryshe, shoqëria mund ta gjykojë të besueshme pikëpamjen, sipas së cilës, është më mirë që imigracioni të mbahet në një kuadër të rreptë.

- Kësisoj, a do mund të thonim sot, se për cilin nga kandidatët kjo situatë do dilte më në favor?

- Kohët e para, ka më shumë të ngjarë, që të fitojnë më tepër pikë ultra të dhjathët, por jo deri në atë shkallë sa t’i nxjerrë në pozitat e liderizmit. Ky efekt mund të zgjasë një deri dy javë, por është e vështirë të bëhen parashikime në fund të garës parazgjedhore.

- Por në kontekstin e lëvizjes së Nikola Sarkozisë gjithmonë e më djathtas, a mund të pritet përmirësim i rezultateve të tij?

- Po, ka mundësi që reitingu i tij të ngrihet disi dhe të mbetet në pozita udhëheqëse gjatë raundit të parë. Por ndërkaq, sa më shumë i afrohet ai ultra të djathtëve, aq më tepër humbet elektoratin e centristëve. Në këtë mënyrë, ai do përmirësojë rezultatin e vet në raundin e parë, por kjo nuk do ndikojë aspak në ndeshjen finale.

Maria Sidelnikova