0Pikëpamjen e tyre e komentojnë ekspertët rusë.

Klimatologët shpesh flasin për një intervencion të mundshëm të Oqeanit Botëror në të ardhmen - për shkak të shkrirjes së akujve niveli i tij po ngrihet dhe ai po vërshon në kontinent, duke mbuluar pjesët bregdetare të steres. Hulumtuesit nga Universiteti i Columbia-s përpiqen të qetësojnë të preokupuarit: në shekullin e ardhshëm “përmbytje botërore” nuk do të ketë. Kësula e akullt e Tokës - Arktiku, Antarktida, Groenlanda dhe akullnajat malore - edhe pse ka filluar të shkrijë në këto 10 vitet e fundit pak më shpejt, nuk po ndryshon megjithatë në mënyrë kaq intensive saqë Oqeani Botëror të “rritet” deri në disa metra.

Por se ç’nivel do të arrijë Oqeani deri në vitin 2100 - kjo është një çështje  e diskutueshme. Përhapja e vlerësimeve është mjaft e madhe: nga 10 cm deri në 1.5 metra. Shkencëtarët rusë mendojnë, se nuk ka gjasa që niveli i oqeanit të ngrihet për 100 vitet e ardhshme me më shumë se disa dhjetëra centimetra. Tani niveli i tij çdo vit rritet me 2.5 - 3 milimetra, tha Zëvendësdrejtori i Institutit Kërkimoro-Shkencor rus të Arktikut dhe Antarktidës Aleksandër Danillov. Arsyeja e rritjes së nivelit nuk është vetëm shkrirja e akujve, por edhe ngrohja e ujit të Oqeanit për shkak të ngrohjes klimatike.

Në qoftë se uji në Oqean do të rritet 1 metër, nën rrezikun kërcënues të përmbytjeve do të ndodhen Shën Petersburgu, Gadishulli Jamal në Arktik, Gjermania Veriore, Holanda, Delta e Nilit dhe Ganga-s, parashikojnë oqeanografët. Në zonën e riskut do të jenë pothuajse të gjitha zonat ultësira të steres në pika të ndryshme të rruzullit tokësor, mendon Aleksandër Danillov:

- Ne mund të shqetësohemi seriozisht për Venecian, për ishujt shumë të ulët në Oqeanin Paqësor - Ishujt Marshall, ishujt e Kuk-ut (Cook Islands), Ishujt Maldive në Oqeanin Indian. Në pjesën e bregut të Gadishullit Jamal ka shumë zona bregdetare që mund t’i nënshtrohen përmbytjeve.

Por ky është, sipas mendimit tim, skenari më pesimist. Nuk ka gjasa që ai të gjejë realizim në jetë, shprehet studiuesi i akujve, gjeografi rus Nikollai Osokin:

- Vëzhgimet e kores së akullt në Antarktidë sugjerojnë se nuk do të ketë shkrirje drastike të akujve. Prandaj s’ka se nga të merret një vëllim shumë i madh uji, i aftë që të rrisë në mënyrë të ndjeshme nivelin e Oqeanit Botëror.

0Mos harroni se ekuilibrin në gjendjen në fjalë e vendosin vetë ligjet e natyrës. Nikollai Osokin kujton, se me rritjen e temperatës së ajrit, për shkak të ngrohjes globale të klimës, intensifikohet dhe avullimi i ujit nga sipërfaqja e Oqeanit Botëror. Ndërsa kjo do të thotë, se rritja e nivelit të tij ngadalësohet.

Olga Sobolevskaja