“Rosselhoznadzor” (Shërbimi Federal i Rusisë për Monitorimin Veterinar dhe Fitosanitar) pezulloi përkohësisht importet e bagëtive (lopëve, viçave, dhive e deleve) dhe derrave të gjallë nga Bashkimi Evropian. Kufizimet e importit do të zbatohen vetëm ndaj kafshëve që shkojnë për therje.Importi i bagëtive për mbarështim do të ruhet gjatë forcimit të theksuar të kontrollit veterinar.

Shkak për këtë veto të përkohshme u bë fiksimi në BE i shpërthimit të dy viruseve tejet të rrezikshme për shëndetin e kafshëve: Bluetongue dhe Schmallenberg.

Në fillim të vitit Evropa Perëndimore u përfshi nga vala e një sëmundje krejtësisht të re të shkaktuar nga një virus i panjohur, i cili u quajt Schmallenberg, sipas emrit të qytetit gjerman ku u zbulua. Studimet e para dhanë rezultate aspak ngushëlluese: virusi mund t’i shkaktojë të vegjëlve të bagëtisë së trashë keqformime gjatë zhvillimit. Raste të prekjes së njerëzve nga këto viruse nuk janë regjistruar ende. Pikërisht ky fakt dhe u bë shkas për t’i quajtur në Botën e Vjetër veprimet e autoriteteve ruse të pajustifikuara. Por specialistët ruse mendojnë se nuk duhet të mbahet një qëndrim kaq moskokëçarës, i pakujdesshëm ndaj kësaj sëmundje të rrezikshme pak të studiuar deri tani, thotë Zëdhënësi i “Rosselhoznadzor” Aleksei Alekseenko:

- Në fakt kjo sëmundje është veçanërisht e rrezikshme pikërisht për shkak të mosnjohjes së saj, sepse më parë nuk ka patur një sëmundje të tillë. Kurse pasojat e saj janë mjaft dramatike: nga ajo vdesin gati 50% e të vegjëlve të lopëve, dhive, deleve. Dhe ne deri tani nuk kemi marrë dëshmi bindëse se ky virus nuk është i rrezikshëm për njeriun. Në këtë situatë ne nuk mund të vazhdojmë importin e bagëtive të gjalla si më parë nga BE-ja.

Vendimin për vendosjen e embargos “Rosselhoznadzor” nuk e mori ashtu menjëherë. Tek ne shkaktojnë shqetësim, në përgjithësi, veprimet e vendeve të BE-së përkatësisht kësaj çështjeje, thotë Aleksei Alekseenko:

- I gjithë problemi konsiston në faktin, se kur ne organizuam takimin e parë për këtë problem, pyetja e parë që ne i bëmë atyre ishte: çfarë masash kufizuese kanë vendosur ata në vendet e BE-së? A kanë kufizuar vallë zhvendosjen e kafshëve nga rajonet e prekura? Përgjigja që ne dëgjuam ishte “jo”. Ata nuk dëshirojnë të pengojnë tregtinë dhe kafshët i përhapin në mënyrë të pakontrolluar në gjithë territorin e Bashkimit Evropian. Ndërsa pasojat e një qëndrimi të tillë mund të jenë nga më të papriturat.

0A do të ndikojnë vallë në gjendjen në treg sanksionet e “Rosselhoznadzor” për bagëtitë e imta dhe të trasha nga Evropa? Specialistët nuk besojnë se ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë për shkak se nga vendet e BE-së importohet kryesisht bagëti për mbarështim dhe jo për mish.

Svetllana Andreeva