Vladimir Putin dhe Barack Obama do të takohen pas inaugurimit të Presidentit të Rusisë. Për këtë deklaroi Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov në një intervistë dhënë një prej radiostacioneve ruse.

Në një bisedë që zhvilloi me gazetarët Kreu i MPJ ruse iu përgjigj pyetjeve që kishin të bënin me politikën aktuale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Marrëveshja për realizimin e takimit mes Presidentit të SHBA dhe Vladimir Putinit u arrit gjatë bisedës së tyre të paradokohshme telefonike. Takimi do të mbahet pas inaugurimit të Kryeministrit aktual si President i Rusisë, i cili është caktuar për datën 7 maj. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tërhoqi vemendjen ndaj faktit, se tani përtej oqeanit është mjaft e fortë retorika anti-ruse, veçanërisht në kampin e republikanëve. Në këtë mënyrë ata po e hedhin në lojë këtë kartë të fortë në prag të zgjedhjeve presidencale, që do të mbahen në fund të vitit në SHBA. Sergei Lavrov deklaroi se fjalët mbeten fjalë megjithatë, ndërsa do të gjykohet mbi qëndrimet e politikanëve amerikanë nga veprat e tyre konkrete:

- Retorika antiruse është shfrytëzuar mjaft aktivisht nga kandidatët presidencialë republikanë. Por ne do të gjykojmë mbi atë, se ç’politikë do të ndiqet në drejtimin rus nga ana e presidentit të SHBA, i cili do të zgjidhet në nëntor të këtij viti, nga veprat konkrete të tij dhe jo nga fjalët që ne dëgjojmë aktualisht.

Ndërkohë marrëdhëniet ruso-amerikane kanë hyrë në udhë pa krye për shkak të mosmarrëveshjeve që lindën në lidhje me problemin e mbrojtjes evropiane antiraket dhe një sërë çështjesh të tjera. Megjithatë, të dyja palët janë të predispozuara për të zhvilluar partneritetin në ato fusha, ku evidentohet përkimi i interesave të të dyja palëve, ndërsa mosmarrëveshjet të shqyrtohen e të merren në konsideratë në kuadër të dialogut të drejtpërdrejtë, theksoi Ministri rus Lavrov.

Duke folur mbi çështjen bërthamore iraniane dhe tensionin në rritje rreth Iranit Sergei Lavrov theksoi, se Rusisë nuk i duhet aspak një Iran bërthamor, dhe kujtoi, se Moska ka ofruar tashmë një plan për stabilizimin e situatës. Përsa i përket sanksioneve të njëanshme kundër Teheranit, të cilat u vendosën nga disa shtete, ato nuk janë aspak konstruktive dhe drejtohen vetëm për përkeqësimin e ekonomisë së vendit. Sipas mendimit të tij, problemi mund të zgjidhet vetëm me vendosjen e një bashkëveprimi normal midis udhëheqjes së Iranit dhe ANEA-s.

Edhe një tjetër pikë e nxehtë në hartën e Lindjes së Mesme - Siria. Lavrov bëri thirrje për të mos ia ngarkuar gjithë përgjegjësinë për gjakderdhjen, e cila po vazhdon për muaj të tërë në këtë vend, vetëm Presidentit sirian.

- Ne nuk jemi të prirur absolutisht për të justifikuar udhëheqjen siriane, ajo reagoi në mënyrë jo drejtë ndaj protestave të para të qytetarëve paqësorë dhe po vazhdon të bëjë shumë gabime, ndërsa veprimet e drejta i ndërmerr me shumë vonesë. Kurse kjo, në shumë gjëra, i shërbeu acarimit të konfliktit deri në fazën aktuale akute. Megjithatë, në qoftë se ne duam të jemi parimorë, nëse preokupohemi për fatin e banorëve paqësorë, atëhere duhet të dënojmë edhe ata që i organizojnë këto provokime.

0Nuk anashkaloi Kreu i MPJ të Rusisë edhe fatin e mëtejshëm të Bashar Al-Assad. Duke iu përgjigjur pyetjes - Mos do të ishte më mirë për Presidentin e Sirisë që të jepte dorëheqjen dhe të nisej për në Moskë para se të ndodhet në situatën e Muammar Gaddafi? - Lavrov tha, se vendimin për këtë duhet ta marrë vetë Bashar Al-Assad. Askush nuk ka ndërmend ta ftojë atë për të emigruar në Rusi.

Konstantin Garibov