Opozita ruse ka ndërmarrë një metodë të re presioni, nëse jo ndaj pushtetit, atëherë ndaj mediave nën kontrollin shtetëror. Kundërshtarët e regjimit aktual kërkojnë nga klientët e reklamave të ndërpresin shfaqjen e tyre, nëpër ato kanale televizive, që sipas pikëpamjes së opozitës, përhapin informacione dyshuese për lëvizjet e protestës. Për hir të së vërtetës, vetë klientët e reklamave u janë mënjanuar konflikteve dhe deklarojnë se qëndrojnë jashtë politikës.

Lëvizja e protestës, që kish rënë në qetësi pas zgjedhjeve, sërish po merr xhiro. Pasi kishin humbur ndaj Vladimir Putinit, para opozitarëve doli pyetja: “ç’të bëjmë më tej?” dhe fituan një armik të ri, televizionin. Për më tepër se kaq, ishte vetë televizioni ai që provokoi konfliktin. Kanali televiziv rus NTV, i cili formalisht është privat, por praktikisht nën kontrollin shtetëror, kur bëhej fjalë për transmetimin e temave politike, shfaqi filmin “Anatomia e protestës”. Autorët anonimë akuzuan në të pjesëmarrësit e protestave në Moskë për marrje parash, ndërsa opozitarët për lidhje me Departamentin e Shtetit të SHBA-ve.

Reagimi i opozitës pasoi menjëherë. Kundërshtarët e pushtetit ndërmorrën, fillimisht, një aksion të paorganizuar në qendër të Moskës dhe më pas pranë mureve të Qendrës televizive “Ostankino”, ku gjenden zyrat e NTV-së dhe kompanive të tjera të mëdha të radios dhe televizionit rus. Parulla kryesore: “NTV gënjen!”. Aty për aty lindi edhe strategjia e re: duhet ndërprerë rrjedha e parave që vijnë nga reklama për televizionin, duke i shpallur bojkot vetë TV-së dhe mallrave që u ai u bën reklamë. Viktima e parë e fushatës masive u bë koncerni global Procter & Gamble, prodhues i mallrave shtëpiakë. Siti i tij dhe faqet nëpër rrjetet sociale hodhën ankesa ndaj NTV-së dhe thirrje për të ndërprerë kontratën me këtë kanal, tregon njëri prej pjesëmarrësve në protesta, Aleksandër Pljushev:

- Procter & Gamble është një klient i madh reklamash për NTV-në ruse. Mendoj, se njerëzit kanë të drejtë të pyesin, se ku shkojnë paratë tona. Ne blejmë shampo dhe brisqe rroje dhe një pjesë e këtyre parave shkojnë për reklama. Përse e ushqeni, në këtë mënyrë NTV-në? Ndoshta kjo punë nuk del mirë kështu.

Kreu i Qendrës ruse të Studimeve Politike Aleksei Muhin e gjykon këtë ide të opozitës si fort të suksesshme.

- Më duket, se një aksion i këtij lloji është në thelb mjaft i përpiktë dhe mjaft efektiv, aq sa të ngjallë pakënaqësinë jo vetëm të udhëheqjes së stacioneve televizive, por të shërbejë edhe si stimul për udhëheqjen e shtetit. Detyra, që opozita i ka vënë vetes kohët e fundit, është të turbullojë pozitat e pushtetit më të lartë dhe ta bëjë atë të lëvizë drejt rrymave liberale.

Nga ana tjetër, sulmi i parë ndaj klientëve të NTV-së, hë për hë, nuk doli fort efektiv. Përfaqësuesi zyrtar i Zyrës për Rusinë në Procter & Gamble Andrei Ljan deklaroi shkurt: ne jemi jashtë politikës.

Roman Mamonov