0Raporti i Organizatës Amnesty International i dedikohet përvjetorit të miratimit të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Libinë. Rusia gjatë votimit të 17 marsit të vitit 2011 abstenoi: Mandatin për realizimin e operacionit në Libi fillimisht NATO e mori për 90 ditë. Si rezultat ai zgjati plot 7 muaj dhe përfundoi vetëm pas likuidimit fizik të Liderit të Xhamahirisë (Jahahiriya). Tani për tani dihet për 55 viktima të sulmeve ajrore natoviane. Nuk përjashtohet mundësia që numri i tyre të jetë shumë më i madh: të dhënat e aktivistëve të të drejtave të njeriut janë mbledhur në kushtet e kaosit të pasluftës në Libi.

Ndërkohë në NATO ngulin këmbë në të vetën, duke e karakterizuar fushatën ushtarake libiane si “të përpikërisë së lartë”. Sipas fjalëve të Anders Fogh Rasmussen, forcat e Aleancës “kanë përdorur procedura tejet të komplikuara për të konfirmuar natyrën ushtarake të objektivave të goditjeve të veta”. Në lidhje me viktimat “aksidentale” Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s shpreh keqardhjen e vet të thellë, por këtu s’ke se ç’bën - “lufta është luftë”. Në përgjithësi, mandati i NATO-s përfundoi dhe tani Aleanca nuk ka të bëjë më fare me Libinë.

Duam të vemë në dukje, se në raportin e Amnesty International fjalë bëhet vetëm për libianët që janë vrarë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga bombat e NATO-s. Por shumë më tepër njerëz kanë gjetur vdekjen nga duart e “kryengritësve”, të cilët Aleanca i mbështeti nga ajri dhe i armatosi nga toka. Shkatërrimi i vendit, që u bë rezultat i episodit libian të “pranverës arabe”, nuk i shërben aspak forcimit të shëndetit të banorëve paqësorë të Libisë. Cyrenaica tashmë shpalli mbi autonominë e vet. Ndërsa përçarja ndërfisnore ka arritur nivelin e gjenocidit. Në këtë vend po bëhet një masakër e vërtetë. Pushtetin në rajonet e vendit e kanë marrë në duart e tyre komandantët fushorë, më shumë se 100 mijë veta mbajnë armë, kurse veprimtaria e “pushtetit qendror” - Këshillit Kalimtar Kombëtar - paraqitet fort e mjegullt. Deri tani është krejtësisht e paqartë se kush hyn në përbërjen e tij. Në burgje mbahen rreth 10.000 veta, po vazhdon represioni ndaj përkrahësve të Muammar Al-Gaddafi. Të gjitha përpjekjet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për të marrë informacion në lidhje me atë që po ndodh në burgjet libiane përfundojnë me dështim. Kurse ata, të cilët i sollën një demokraci të tillë Libisë, po lajnë duart tani prej saj.

Meqë ra fjala mbi Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Vrasja e më shumë se 50 banorëve paqësorë bie nën definicionin e krimeve kundër njerëzimit, dhe, rrjedhimisht, edhe nën juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Por si zor që Haga të marrë guximin për të ngritur çështje penale kundër ndonjë prej lidershipëve të NATO-s.

0Një vit pas fillimit të bombardimit të Libisë madje dhe në Perëndim janë të detyruar të pranojnë: çmimi i “suksesit” doli shumë i lartë. Sipas mendimit të analistëve politikë, “lufta shtatë mujore” mund të mbetet e vetmja në llojin e vet. Këshilli i Sigurisë i OKB-së nuk ka gjasa që t’i konsiderojë në të ardhmen sulmet raketore si masë adekuate për mbrojtjen e popullsisë civile të çdo vendi qoftë.

Igor Sileckij