Rusia dhe Bashkimi Evropian ia hynë punës për realizimin e planit të kalimit te regjimi pa viza. Konsultimet e para u zhvilluan në Moskë në fund të javës së kaluar. Palët kanë vendosur një kornizë të caktuar kohore, brenda së cilës duhet të plotësohen kërkesat e ndërsjellta dhe të nënshkruhen marrëveshjet përkatëse.

Supozohet që puna të zhvillohet në katër drejtime. Këto janë “Siguria e dokumenteve”, “Migracioni i paligjshëm”, “Rendi publik, siguria dhe bashkëpunimi ligjor” dhe “Marrëdhëniet e jashtme”.

Moska, sipas të dhënave të burimeve të MPJ, është e gatshme të përmbushë të gjitha kërkesat deri në fund të vitit 2012, me qëllim që duke filluar nga viti 2014 të arrihet anulimi i vizave të paktën për udhëtimet kohëshkurtra. Kurse evropianët tregohen shumë më të matur, më të kujdesshëm. Ja mendimi i anëtarit të Komitetit të Dumës Shtetërore për Legjislacionin Kushtetues dhe Ndërtimi e Shtetit Dimitri Vjatkin:

- Mosdëshira, hezitimi për të zgjidhur problemin apo zvarrisja e zgjidhjes së tij nga ana e Bashkimit Evropian, nga këndvështimi im, diktohen nga rrethana të veçanta politike. Megjithëse vendosja e regjimit pa viza është, para së gjithash, në interes të biznesit. Dhe nga të dyja palët, duhet thënë. Hezitimi për zgjidhjen kardinale të kësaj çështjeje nga kolegët tanë evropianë, duket, si të paktën, i habitshëm.

Në Bruksel nuk e fshehin aspak faktin se kundër vendosjes së regjimit pa viza me Rusinë dalin disa vende me shumë ndikim. Plus oponentet kryesore të hershëm të Moskës - shtetet e Evropës Lindore dhe vendet balltike. (Lituania, Estonia dhe Letonia). Ja komenti në lidhje me këtë situatë i analistes politike Olga Ballabanova:

- Aktualisht, në radhët e BE-së vërehet përçarje në lidhje me këtë çështje. Një sërë vendesh, të cilat janë të interesuara në përfitimin e fluksit të madh të turistëve rusë, e mbështesin aktivisht këtë masë. Midis këtyre shteteve janë Franca, Spanja dhe Italia. Në mesin e atyre vendeve që dalin aktivisht kundër vendosjes së regjimit pa viza me Rusinë është edhe Gjermania. Tani për tani nuk ekzistojnë kurrfarë arsyesh për të thënë se situata do të ndryshojë shumë shpejt. Mosmarrëveshjet ekzistuese brenda vetë BE-së dhe mosbesimi i vazhdueshëm, që ruhet ndaj Rusisë, nga ana e vendeve të Evropës Qendrore - ja këto janë, ndoshta, barrierat kryesore të ngritura në rrugën drejt afrimit.

0Ekspertët e anketuar nga Radiokompania “Zëri i Rusisë” mendojnë se në kushtet e mungesës së konsensusit në radhët e anëtarëve të Bashkimit Evropian, për Moskën do të ishte më e lehtë të zhvillonte negociata për lehtësimin e regjimit të vizave me vende konkrete. Dihet tashmë se mbi lehtësimin e regjimit të vizave për studentët, turistët dhe biznesmenët nga Rusia kanë deklaruar Italia, Spanja dhe Franca.

Roman Mamonov