Lëvizja e protestës në Rusi po merr drejtim konstruktiv. Protestat e rrugës si formë e shprehjes së qëndrimit qytetar e konsumuan veten shpejt dhe tani opozita po kërkon forma të tjera të ndikimit mbi pushtetin.

Parulla “Për zgjedhje të ndershme” u duk nëpër rrugët dhe sheshet e qyteteve ruse në fund të viti të kaluar, pas zgjedhjeve parlamentare. Që nga ajo kohë, opozita që akuzoi pushtetin për falsifikimin e atyre zgjedhjeve, ka zhvilluar disa akte proteste, duke kaluar gradualisht te vënia në diskutim e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale. Kjo lëvizje u përqëndrua, kryesisht, në Moskë dhe Shën Petersburg. Por nëse në aktivitetet e dhjetorit u mblodhën deri në 100 mijë “qytetarë të zemëruar”, në mitingun e fundit të 10 marsit në rrugë dolën 25 mijë vetë. Shifra të këtilla dolën nga organizatorët e aktiviteteve, ndërsa sipas të dhënave zyrtare pjesëmarrësit ishin më të paktë në numër. Gjithësesi, statistika i dha shkas politologëve të flasin për një rënie të lëvizjes së protestës. Shkaqet e këtij ndryshimi të prirjeve në radhët e ithtarëve të opozitës janë të qarta, vëren në një intervistë për “Zërin e Rusisë” politologia Olga Krishtanovskaja:

- Preteksti kryesor i aktivizimit të protestave ishin, sidoqoftë, zgjedhjet. Por mbetën shkaqet e pakënaqësisë dhe problemet e pazgjidhura. Prandaj, të mendosh, se njerëzit thjesht janë qetësuar dhe do të kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme, më duket edhe kjo, si mendjelehtësi. Njerëzit duan demokraci, transparencë të madhe nga ana e shtetit.

Le të kthehemi te një fakt i pastër, që opozita u aktivizua në qytetet e mëdha, sidomos në Moskë. Që në krye të herës, u bë e qartë, se prirjet e protestës preknin kryesisht një grup të caktuar social. Me këtë është dakort njëri prej pjesëmarrësve në aksionin opozitar, gazetari Artjom Sllabin:

- Më shumë se 60% janë me arsim të lartë, ndërsa 8% me nga dy universitete. Kjo flet qartazi, se përbërja sociale e pjesëmarrësve në mitingje, është ajo e njerëzve të punës me tru. Ata mendojnë jo vetëm se ku mund të gjejnë punë dhe si të ushqehen, por edhe për të drejtat e tyre qytetare dhe politike. Pikërisht, këta njerëz nisën të dalin në rrugë.

Sakaq, në radhët e njerëzve, që u joshën në mitingje me parullat e demokracisë dhe lirisë politike, sot po vërehet një ndjenjë hutimi depresiv. “Klasa mendimtare”, gjatë kohës së aksioneve të protestës, u ftillua se opozita jashtë institucionale nuk ka program konkret, nuk ka unitet, nuk ka lider. Përfaqësuesit e partisë së paregjistruar PARNAS - Boris Njemcov, Vladimir Rizhkov dhe Mihaill Kasjanov - e paraqitën veten, kryesisht, si organizatorë demonstatash, por pa i afruar kurrgjë konkrete popullit të mbledhur në mitingje.

Masa më e madhe e “qytetarëve” e kuptoi, në thelb, më përpara se liderët e protestave, që duhet kaluar në hapa konstruktivë të opozitarizmit. Kështu, më 4 mars, në të njëjtën ditë të zgjedhjeve presidenciale, në Moskë u zhvilluan zgjedhjet për deputetë të Këshillave të Mini-bashkive. Midis kandidatëve kishte, jo pak përfaqësues të pavarur nga opozita. Dhe, pothuaj, në të gjithë rajonet e kryeqytetit ata morën 40% të mandateve, ndërsa në qendra madje shumicën.

Andrei Smirnov