Prodhuesit kryesorë të avionëve dhe pajisjeve të aviacionit civil nga 18 vende të botës po marrin pjesë në ekspozitën e tretë të aviacionit India Aviation-2012, në Hajdarebad, më 14-18 mars.

Në Indi po demonstrojnë prodhimet e tyre kompanitë Airbus, Boeing, Bombardier, Dassault, Embraer. Rusinë, në këtë tabllo të arritjeve të industrisë së aviacionit, e përfaqëson Korporata e Bashkuar e Ndërtimit të Avionëve (KBNA). Ajo paraqiti avionin e ri “Superjet 100”. Këtë aeroplan e shquan leverdia ekonomike dhe komforti i lartë në bordin e pasagjerëve, si dhe dizajni praktik në kabinën e pilotëve. Veç këtyre, vlera monetare e tij është 15%  më lirë, se ajo e konkurrentëve. Në ditët e ekspozitës për “Superjet 100” është hartuar një program special demonstrativ, u shpreh në një intervistë për “Zërin e Rusisë”, përfaqësuesja zyrtare e kompanisë Olga Kajukova:

- Avioni fluturoi posaçërisht për të marrë pjesë në ekspozitë. Gjatë paraqitjes do kryhet prezantimi i aeroplanit për kompanitë ajrore dhe mediat, si dhe do të demonstrohen fluturime. Pos kësaj, do paraqitet maketi i bordit të avionit në perspektivë MC-21.

Epërsitë bazë të aeroplanit janë arritur kryesisht falë motorit, me prodhimin e të cilit janë marrë firma franceze Snecma dhe ajo ruse “Saturn”. Në motorin e ri janë aplikuar risitë më të fundit të shkencës, të cilat lejojnë, që për të njëjtën fuqi shtytëse, të kursehet 12% e karburantit, krahasuar me motorët analogë, të vendosur në Embraer 190 të Brazilit, apo CRJ 900 të Kanadasë. Avioni rus ka, gjithashtu, një shpejtësi më të madhe se konkurrentët e tij.

Më herët, “Superjet 100” u çertifikua nga Agjencia Europiane e Sigurisë së Aviacionit ( EASA), gjë që i zgjeroi mjaft mundësitë e marketingut, veçanërisht në tregun europian, sepse ky dokument u lejon kompanive europiane të aviacionit dhe kompanive shtetërore të marrin dhe të shfrytëzojnë avionët “Superjet 100”.

Maketi i bordit të pasagjerëve të avionit tjetër rus MC-21, sipas vlerësimit të ekspertëve, është bordi më i mirë në klasin e magjistralit të mesëm të avionëve. MC-21 është përpunuar nga korporata “Irkut” në bashkepunim me kompani të tilla botërore, si Pratt & Whitney, Rockwell Collins, Zodiac Group etj. Avioni bën të mundur uljen e shpenzimeve për shfrytëzimin e tij në 18%, krahasuar me avionët e këtij tipi nga prodhues të tjerë.

Në vitin 2017 duhet të fillojë përdorimi komercial i MC-21. Paketa e porosive për këtë avion përbën tashmë 235 syresh.

Oleg Nehaj