Rusia është e interesuar që NATO të ketë sukses në Afganistan, sa i përket luftës kundër narkotrafikut dhe terrorizmit. Sakaq, përpara se ushtarakët e huaj të largohen nga vendi, është e domosdoshme të përgatitet raporti mbi përmbushjen e mandatit të OKB-së, deklaroi Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

- Rusia po jep ndihmën e saj për koalicionin që gjendet në Afganistan mbi bazën e mandatit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke u nisur, para së gjithash, nga interesat e veta kombëtare. Koalicioni mori mandatin të çrrënjosë në Afganistan kërcënimin që vjen prej terrorizmit dhe narkotrafikut. Këto kërcënime na prekin ne në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe po shfaqen në territorin e aleatëve tanë të afërt. Është në interesin tonë që ky koalicion të arrijë sukses dhe përpara se të largohet, është e domosdoshme, që të japë garanci për aftësinë e vetë afganasve në mbrojtje të vendit të tyre dhe të mbështesë një nivel të pranueshëm sigurie. Nëse kemi dhënë një mandat në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, atëherë, përpara se koalicioni të lërë vendin, ne duam të dëgjojmë një raport mbi përmbushjen e mandatit dhe detyrave. Për ne nuk është e përshtatshme shpallja e tërheqjes së caktuar para afatit të kontigjentit të huaj nga Afganistani. Fillimisht duhet arritur një rezultat, që në Afganistan të vendoset një rend elementar, i cili do të bëhej i mundur me mbështetjen e forcave të sigurisë afgane, për krijimin dhe pajisjen e të cilave marrim pjesë edhe ne.

NATO planifikon t’i kalojë pushtetit vendas përgjegjësinë për garantimin e sigurisë në vend, në fund të vitit 2014. Në cilësinë e ndihmës për koalicionin Rusia është gati të pranojë në territorin e saj një bazë transporti të NATO-s, nëpërmjet së cilës në Afganistan do dërgohen vetëm ngarkesa që nuk kanë karakter ushtarak.

Olga Denisova