Dimitri Medvedev nënshkroi Planin Kombëtar të Luftës Kundër Korrupsionit për vitet 2012-2013. Siç shpjegoi Presidenti, shteti në luftë me këtë të keqe po bën akoma edhe një hap përpara: nën kontroll bien jo vetëm të ardhurat, por edhe shpenzimet e nëpunësve.

Plani kundërveprues ndaj korrupsionit në Rusi ka hyrë në veprim tashmë që në vitet 2010-2011. Në përputhje me këtë dokument, nëpunësit janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e  tyre. Gjatë kësaj kohe, sipas Presidentit, u arrit të formoheshin bazat ligjore për luftën kundër ryshfetit. Tani ka ardhur koha të bëhet një hap tjetër, shpreh bindjen Dimitri Medvediev:

- Nëse kontrolli nxjerr në dritë, se shpenzimet e nëpunësit kapërcejnë qartazi të ardhurat e tij dhe ai nuk do të jetë në gjendje të shpjegojë se nga i ka marrë këto mjete, atëherë kjo mund të shërbejë si bazë për ta pushuar këtë nëpunës nga shërbimi shtetëror, sikurse edhe si bazë për t’i kushtuar vëmendje pasurisë së tij, e cila është përftuar me të ardhura të panjohura në pronën shtetërore.

Deklarimet mbi shpenzimet do t’i bëjnë qytetarët që zenë poste shtetërore, nëpunësit e shtetit dhe të organeve të pushtetit lokal si edhe punonjësit e organizatave, të krijuara nga shteti. Sigurisht, që ata nuk do të japin llogari për çdo blerje, por vetëm për ato “të rëndat”: mjetet e transportit, pasuritë e paluajtshme dhe letrat me vlerë. Dëshmi të tilla nëpunësit do jenë të detyruar t’i paraqesin, nëse shumat e blerjeve kapërcejnë shumën e të ardhurave tre vjeçare, bazuar mbi vendin e punës së nëpunësit të shtetit, apo anëtarit të familjes së tij. Çmimi minimal i blerjes, i cili bie nën mbikëqyrjen e kontrollit, është 3 milionë rubla (apo 100.000 dollarë). Siç shpjeguan në administratën e Presidentit, paga mesatare në aparatin qeveritar është 102 mijë rubla, për pasojë për tre vjet kemi fiks shumën në fjalë.

Pika kryesore e planit, mbi domosdoshmërinë e së cilës folën mjaft ekspertë, është konfiskimi i pasurisë së vënë në mënyrë të paligjshme. Pikërisht kjo situatë reflektohet në nenin 20 të Konventës së OKB-së kundër korrupsionit, i vetmi nen, që Rusia nuk e ka ratifikuar ende, tërheq vëmendjen në një intervistë për “Zërin e Rusisë”, Drejtorja e Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë në Komitetin për Luftën Kundër Korrupsionit Irina Rukina:

- Kjo është përmbushje e Konventës së OKB-së, një realizim, pikërisht, i këtij neni, i cili nuk ishte miratuar nga Rusia më parë. Ky është vërtet një hap i madh në luftën kundër korrupsionit. Mund të thuash ç’të duash, por deklarimi i të ardhurave solli disa rezultate të caktuara. Tani kemi të bëjmë, thjesht, me pjesën e dytë të të njëjtit problem. Nëse ne deklarojmë të ardhurat, atëherë duhet të deklarojmë edhe shpenzimet.

Dokumenti, nënshkruar nga Presidenti, do publikohet në Internet për shqyrtim nga shoqëria. Çdokush që dëshiron, deri më 22 mars, mund të shprehë mendimin dhe të sjellë propozimet e veta.

Andrei Smirnov