Rusia është gati të bëjë marrëveshje për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Sirinë, deklaroi të hënën Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, duke mbajtur fjalën në mbledhjen e KS-së të OKB-së. Ndërkohë, kreu i MPJ-së ruse saktësoi, se kjo është e mundur vetëm mbi bazën e pesë parimeve, të përcaktuara nga Lidhja e Shteteve Arabe.

Sot nuk duhet kërkuar ajo, se kush ia nisi i pari, por duhen kërkuar qasje, të cilat realisht do të lejonin arritjen e ndërprerjes së zjarrit, tha Lavrov në krye të fjalës së tij. Është e qartë, se qasjet në fjalë nuk përfshijnë kërkesën për ndryshimin e regjimit dhe sanksionet e njëanëshme dhe as thirrjet për mbështetje të luftës së armatosur. Këto të fundit, Lavrovi i quajti “receta të rrezikshme të inxhinierisë gjeopolitike”:

- Nuk ka asnjë dyshim, se pushteti në Siri mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për çka ndodh. Por nuk bën të mos vërejmë, se ky pushtet, prej kohësh, nuk po lufton aspak me njerëz të paarmatosur, por me njësite luftarake, mes të cilëve edhe me të ashtuquajturën Ushtria Çlirimtare Siriane, si dhe me grupe ekstremiste, përfshirë “Al-Qaeda”, të cilët kohët e fundit kanë kryer një seri atentatesh të përgjakshme.

Me propozimin e Britanisë së Madhe, tema e mbledhjes së tanishme të Këshillit të Sigurimit tingëllon kështu: “Situata në Lindjen e Mesme: sfidat dhe mundësitë”. Subjekti bazë i shqyrtimit duhej të kishte qenë përjetimi i krizës në Siri dhe kriza e përjetuar në Libi. Diplomatët rusë synonin ta trajtonin këtë temë gjerësisht. Për stabilitet në këtë rajon është ende herët të flitet, por është tamam koha për të nxjerrë disa përfundime mbi aspektin ndërkombëtar të “pranverës arabe”, - u shpreh Sergei Lavrov:

- Së pari, çfarëdo qëllimesh që mund të kesh në njërën a tjetrën situatë, ato nuk mund të arrihen duke mashtruar bashkësinë ndërkombëtare, duke manipuluar me vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në rast të kundërt, e pëson prestigji i Këshillit, kriset besimi midis anëtarëve të tij, domethënë, aftësia e KS-së për të marrë vendime në të ardhmen. Së dyti, ato organizata, apo vende, që marrin përsipër përmbushjen e mandatit, dhënë nga KS-ja e OKB-së, duhet që në masë të plotë të japin llogari para Këshillit për veprimtarinë e tyre. Kjo i përket edhe Aleancës së Atlantikut të Veriut, e cila kishte për detyrë të garantonte regjimin e zonës së ndaluar për fluturimit mbi Libi, por që në fakt u morr me bombardime masive.

Sergei Lavrov solli ndërmend, se informacioni mbi viktimat civile, që erdhën si pasojë e këtyre bombardimeve, sot e gjithë ditën nuk është hetuar. Sipas ministrit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së duhet ta nxjerrë në dritë këtë çështje.

Olga Denisova