Në Ditën e Lirisë së Fjalës në Internet, që shënohet në 12 mars, zakonisht tingëllojnë më fort diskutimet mbi kufijtë e kësaj lirie. Rastet e shpërdorimit “me vullnet të lirë” të fjalës elektronike, nuk janë të pakta, thonë ekspertët, ndërkohë që kjo gjë nuk mund të shërbejë si pretekst për të hequr dorë nga kjo mbarësi, si vetë liria e hyrjes në rrjet.

Dita e Lirisë së Fjalës në Internet ka vetëm katër vjet që shënohet. Kjo gjetje erdhi nga organizata ndërkombëtare “Rporterët pa kufi”, nën patronazhin e UNESKO-s. Por asokohe, më 2008, pakkush ishte i ndërgjegjshëm deri në fund, se çfarë force të madhe shpërthyese zotëron interneti dhe pjesa e tij më shumëzërësh, bllogosfera. Ekspertët vërejnë, se sot për nga shpejtësia dhe fuqia e reagimit ndaj ngjarjeve, bllogosfera, herë pas here, nuk mbetet prapa mediave tradicionale.

Në Rusi rrjetet sociale dhe bllogosfera janë shndërruar në një tribunë serioze të shoqërisë, si për pushtetin në fuqi, ashtu edhe për opozitën në të dy fushatat zgjedhore, asaj parlamentare në dhjetor dhe presidenciale në fillim të marsit. Fjala e lirë në internet është një shenjë e qartë e “shtetit të civilizimit demokratik”, thekson bllogeri, Anton Nosik:

-Fjala e lirë duhet parë brenda kontekstit të çdo dite. Kjo është një domosdoshmëri e ndërgjegjshme për gjithë ditët e vitit. Mungesa e fjalës së lirë, në një mënyrë a tjetër, kërcënon ekzistencën normale të njerëzve. Kundërshtarët e fjalës së lirë në internet duan shndërrimin e shtetit demokratik në një klikë totalitare.

Presidenti i zgjedhur i Rusisë, Vladimir Putin, del kundër censurës në rrjet. “Të bllokosh dhe censurosh internetin është e pamundur, përndryshe ai humb kuptimin e tij”, -shprehet Ministri i Telekomunikacioneve, Igor Shegoljev.

Në të njëjtën kohë, shumë ekspertë vërejnë, se  shpërdorimi i lirshëm i thënieve on line të detyrojnë të mendosh mbi krijimin e njërit, a tjetrit mekanizëm rregullator të rrjetit, në funksion të garancisë së përdoruesve të tij. Mënyrat e mbrojtjes mund të jenë nga më të ndryshmit, që nga vetërregullimi profesional i bashkësisë e deri te lufta ligjore me rreptësi ndaj kontentëve të dyshimtë.

Këtë vit, “Reporterët pa kufi” vendosën të zgjerojnë listën e tyre “të vendeve, që gjenden nën mbikëqyrje”. Aty, papritmas u futën Rusia, Franca, India, Australia, Korea e Jugut, Kazakistani dhe një rradhë vendesh të tjerë. Mbrojtësit e fjalës së lirë në internet shfaqën pretendimin ndaj këtyre shteteve, se po përpiqeshin të kufizonin  marrjen e informacionit për të interesuarit. Sakaq, ekspertët komentojnë, se zor të mendohet, që gjithçka, përfshirë përpjekjet, që në një mënyrë a tjetër, synojnë rregullimin e  kaosit në internet, të shihet patjetër si një kufizim i lëvizjes së informacionit në rrjet. Nëse do të udhëhiqemi nga kjo logjikë, atëhere mbrojtësit  e lirisë së fjalës në internet, zor se do mbeteshin plotësisht të kënaqur, qoftë edhe me një vend të vetëm.

Olga Sobolevskaja