Me një minutë heshtje nderuan të dielën, më 11 mars, japonezët kujtimin e viktimave të “Tërmetit të Madh Lindor”. Plot një vit më parë më 14:46 sipas orës lokale ishujt i tronditën lëkundjet e nëndheshme me magnitudë 9 ballë. Më pas mbi pjesën bregdetare të vendit u shemb dallga 10-metërshe e cunamit.

16.000 - kjo është shifra zyrtare e viktimave të tragjedisë së vitit të kaluar në Japoni. Edhe 3000 banorë të tjerë japonezë cilësohen të humbur pa lënë gjurmë. Tërmeti dhe cunami shkatërruan 330.000 shtëpi. Dëme më të madha fatkeqësitë e natyrës i shkaktuan prefekturave Iwate, Miyagi dhe Fukushima. Zonat bregdetare nuk janë pastruar ende nga gërmadhat.

Galeria fotografike: Japonia 1 vit pas cunamit shkatërrimtar

Minuta e heshtjes u shpall edhe në centralin bërthamor “Fukushima-1”. Goditja e forcës madhore në formë cunami shkaktoi një aksident të tmerrshëm në centralin bërthamor, pas kësaj i gjithë rajoni iu nënshtrua ndotjes radioaktive. Rreth 160.000 banorë u detyruan atëhere të braktisin shtëpitë e veta.

Si rezultat i rrjedhjes së rrezatimit radioaktiv pas aksidentit në “Fukushima-1” në ujë, në ajër dhe në produktet ushqimore filluan të gjejnë cezium radioaktiv. Ndërsa vetëm disa ditë më parë mjekët japonezë kanë njoftuar se në një zonë prej rreth 30 kilometrash është zbuluar plutoniun-241. Periudha e gjysmë-shpërbërjes së këtij elementi përbën 14 vjet, kohë kjo relativisht jo e gjatë. Sipas të dhënave të mjekëve, më tepër se 60 banorë të rajoneve përreth centralit bërthamor “Fukushima-1” kanë marrë rrezatim të gjëndrës tiroide. Burim i tij u bë çlirimi i jodit radioaktiv, i cili u fiksua shumë shpejt pas katastrofës.

Nuk pësoi dëm vetëm Japonia nga aksidenti që ndodhi në centralin bërthamor “Fukushima-1”. Pasojat e kësaj katastrofe, po ashtu si në rastin me Çernoblin, i ndjeu mbi vete pothuajse e gjithë bota, thekson shkencëtari i mirënjohur mjedisor Aleksei Jabllokov:

- Pjesa më e madhe e radionukleideve shkoi në oqean. Ky radioaktivitet nuk u shkri, nuk u shpërbë ashtu pa lënë gjurmë. Tani gjysma e peshkut, që shitet në zonën lindore të Japonisë, ka radionukleide të Fukushimës. Ato nëpërmjet oqeanit kanë arritur deri në Amerikë. Kurse reja e emetimit të rrezatimit kaloi përmes Amerikës në Evropë. Madje dhe në Lituani janë gjetur gjurmë të plutoniumit të “Fukushima-1”. Emetimet kanë prekur edhe pjesën e mesme të Gadishullit të Kamçatkës dhe Çukotkën.

Shkencëtarët japonezë kanë saktësuar: pas aksidentit që ndodhi në centralin bërthamor “Fukushima-1” në ujërat e Oqeanit Paqësor kanë depërtuar 6 herë më shumë radioizotope radioaktive ceziumi sesa mendohej më parë. Cezium-137 është më i rrezikshmi ndër elementet e emetuara nga “Fukushima”, meqenëse ai akumulohet në organizmin e njeriut duke shkaktuar si pasojë dëmtimin e muskujve dhe sëmundje kanceroze.

Përveç pasojave mjedisore dhe humanitare katastrofa japoneze pati edhe pasoja fort të rënda ekonomike. Dëmi që iu shkaktua vendit nga cunami është vlerësuar në 200 miliardë $, ndërsa duke marrë parasysh edhe aksdentin në centralin bërthamor “Fukushima-1” - dëmi arriti në 500 miliardë $. Përveç kësaj, “Fukushima” i detyroi vendet kryesore të botës që të rishikojnë programet e veta bërthamore, të drejtuara për zhvillimin e “atomit për qëllime paqësore”. Disa prej këtyre shteteve, për shembull Gjermania, si përfundim vendosën të heqin dorë në përgjithësi nga përdorimi i energjisë bërthamore.

Galeria fotografike: Pasojat e tërmetit shkatërrimtar në Japoni

Andrei Smirnov