Teatri Bolshoi i Moskës bëri të ditur listën e spektakleve të baletit, të cilët gjatë viteve 2012-2013 spekatorët do kenë rastin t’i shohin në transmetim të drejtpërdrejtë në kinematë e gjithë botës.

Sezoni i transmetimeve hapet me 11 mars me baletin “Korsari”, në skenën historike të Teatrit Bolshoi, të resaturuar pak kohë më parë. Në ekranet e kinemave të botës, baletet moskovite u shfaqën, falë bashkëpunimit me kompanitë franceze. Dhjetë vjetë më parë, një ekip francez fillojë të regjistrojë spektaklet e Teatrit Bolshoi. Ndërsa, dy vjet më parë, u përfshi në projekt edhe transmetimi i drejtpërdrejtë i tyre nëpër sallat e kinemave. Fillimisht, këto ishin kinematë franceze, por tani me projektin janë bashkuar më shumë se 1000 kinema nga e gjithë bota. Drejtuesit e Teatrit Bolshoi e vlerësojnë lart këtë risi, shprehet Zv.drejtori i përgjithshëm i teatrit Anton Getman:

- Gjatë dy viteve auditori i spektatorëve të shfaqjeve tona është rritur, pa ekzagjeruar fare në dhjetëra herë. Kur e nisëm këtë projekt më pyetën: “Gjersa spektakli mund të shihet në kinema, a nuk keni frikë vallë se do ndërpritet blerja e biletave në teatrin tuaj”? - Sakaq po ndodh diçka absolutisht e kundërt. Bie fjala, në mars të vitit 2010 ne transmetuam në Francë baletin “Flakët e Parisit”, kurse dy muaj më pas ne e shfaqëm po këtë balet në turneun tonë në Paris, ku ishte e pamundur të gjeje vende në sallë. Biletat u shitën brenda dy ditësh, sepse njerëzit donin ta shihnin spektaklin “të gjallë”.

Në repertuarin e transmetimeve, veç “Korsarit”, është përfshirë edhe “ Rrëkeza e çelët”. Ky balet me muzikën e Shostakoviçit do shfaqet në pranverë. Baleti “Rajmonda” i klasikut rus Gllazunov është shpallur për t’u shfaqur gjatë stinës së verës. Në vjeshtë do kemi “Iluzionet e humbura” me subjekt nga Balzaku dhe me muzikë të kompozitorit bashkëkohor Desjatnikov, si dhe realizimin historik pompoz të “Vajzës së faraonit”. Në vitin 2013 është planifikuar “Bajadera” dhe dy balete me muzikë të klasikëve rusë të shek.XX, “Pranvera e shenjtë” e Stravinskit si dhe baleti “Romeo dhe Zhulieta” i Prokofievit.

Specialistët francezë, që merren me transmetimin, ia kanë dalë mbanë të krijojnë për publikun në kinema iluzionin, se je i pranishëm aty, në Teatrin Bolshoi, rrëfen Producenti i përgjithshëm i kompanisë "Bel Air Media" François Duplat:

- Më e rëndësishmja në këto transmetime është ndjesia se ndodhesh në sallë gjatë shfaqjes. Njerëzit e ndjejnë, se janë ulur diku pranë me skenën dhe shohin mirë gjithçka ç’po ndodh. Ne përpiqemi ta sjellim pamjen në atë mënyrë, sa të duket edhe plani i përgjithshëm edhe personazhet konkrete. Drejtuesit e teatrit na kanë lejuar madje t’i tregojmë shikuesve të gjithë botës, se ç’ndodh në prapaskenë, sidomos gjatë kohës së antrakteve (intermezzo). Ky është tërësisht ekskluzivitet i Teatrit Bolshoi! Dhe po gjejmë një jehonë të madhe te shikuesit, të cilëve u pëlqen mjaft ta shohin këtë jetë të prapa skenës, duke u shndërruar kësisoj në pjesëmarrës të drejtëpërdrejtë të kësaj mbrëmjeje unikale.

E pra, me 11 mars Teatri Bolshoi transmeton baletin “Korsari”.

Natalia Viktorovna