Pesë pikat për rregullimin e situatës së krizës në Siri u bashkërenditën nga Rusia dhe Lidhja e Shteteve Arabe. Dokumenti në fjalë u bë rezultat i takimit të Ministrit të Jashtëm të Federatës Ruse Sergei Lavrov me homologët e tij të vendeve të Ligës Arabe, i cili u mbajt më 10 mars në Kajro.

Pika më kryesore në këtë plan është heqja dorë nga përdorimi i forcës prej të gjitha palëve të konfliktit dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të sirianëve nga jashtë.

Përleshjet në Siri nuk po rreshtin tashmë që prej më shumë se një viti. Sipas të dhënave të OKB-së, gjatë kësaj kohe janë vrarë jo më pak se 7.5 mijë veta. Perëndimi akuzon Presidentin e Sirisë Bashar Al-Assad për “përdorim disproporcional të forcës”. Vetë Bashar Al-Assad deklaron se situatën e destabilizojnë grupet e militantëve të opozitës, të cilët armatosen nga jashtë.

Në Moskë që në fillim të konfliktit patën deklaruar, se kusht i parë për stabilizimin e situatës në Siri duhet të bëhet vendosja e armëpushimit - dhe jo vetëm nga ana e trupave qeveritare, siç kërkohet kjo prej koalicionit të vendeve perëndimore dhe Lidhjes së Shteteve Arabe, por dhe nga grupet e armatosura të opozitës. Rusia dhe Kina kanë përdorur dy herë të drejtën e tyre të vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me qëllim të bllokimit të projekt-rezolutës, e cila drejtohet kundër regjimit të Bashar Al-Assad.

Me sa duket nga të gjitha, tani në krizën siriane po evidentohet një kthesë e re. Rezultatet e negociatave të Ministrit të Jashtëm rus me homologët e tij arabë i bëri publike vetë Sergei Lavrov. Pozita e përbashkët e palëve përfshin në vetvete pesë pika. “E para - ndalimi i dhunës, nga cilado palë që të ushtrohet ajo. E dyta - krijimi i mekanizmit të pavarur monitorues. E treta - të mos ndërmerret kurrfarë ndërhyrje nga jashtë. E katërta - dërgimi pa pengesa i ndihmave humanitare për gjithë sirianët. Dhe, së fundi, e pesta - mbështetja aktive e misionit të Kofi Annan (të Dërguarit të posaçëm të OKB-së dhe Lidhjes së Shteteve Arabe për rregullimin e krizës siriane) me qëllim që të fillohet dialogu politik në mes të qeverisë dhe të gjitha grupeve opozitare”, - u njoftoi gazetarëve Kreu i MPJ të Rusisë.

Ndërkohë, për fat të keq, forcat opozitare po bëjnë gjithçka të mundur që ngjarjet në Siri të zhvillohet sipas skenarit të Libisë, deklaroi në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” vëzhguesi i gazetës egjiptiane “Al-Masri El-Yaum” Khaled Omar.

- Megjithatë, edhe në këto kushte Bashar Al-Assad arrin ta ruajë pushtetin në duart e veta. Pozitat e tij vijnë duke u forcuar edhe për vetë faktin, se ai shprehet i gatshëm për një dialog në shkallë të gjerë me opozitën. Fillimin e dialogut ndërsirian e inkurajon aktivisht edhe Rusia. Dhe pozicioni i saj mbetet i pandryshuar. Takimi në Kajro u bë jo vetëm përpjekje për zbutjen e tensionit që lindi mes Rusisë dhe Lidhjes së Shteteve Arabe për shkak të qëndrimit të ashpër të Katarit dhe Arabisë Saudite, por dhe ka ndihmuar për të formuluar pozitën konstruktive të palëve ndërmjetësuese për zgjidhjen e krizës siriane.

0Me të vërtetë, pikërisht Katari dhe Arabia Saudite mbanin qëndrimin më të pakompromis ndaj regjimit të Bashar Al-Assad. Kurse tani, me sa duket, Moska arriti të ftohë disi “kokat e nxehta”, duke i propozuar shteteve arabe një rrugëzgjidhje të pranueshme nga të gjithë të situatës së krizës në Siri.

Andrei Smirnov