Irani, situata e politikës së brendshme dhe të jashtme rreth tij, nuk po ikën sot e gjithë ditën nga faqet e para të mediave botërore. Korrespondentja e “Zërit të Rusisë” Milena Faustova, u ndodh në një vizitë të shkurtër në Teheran dhe u njoh me mjaft gjëra interesante. Dhe rrëfen si më poshtë:

- Për mënyrën e veshjes së grave iraniane kisha dëgjuar më herët. Por në aeroportin e Moskës Sheremetievo, prej nga nisi fluturimi i natës për në Teheran, mund t’i numëroje me gishtat e njërës dorë gratë e veshura sipas ligjeve iraniane. Shndërrimi i tyre i magjishëm në qytetare të respektueshme ndaj rregullave të republikës ndodhi pas uljes së avionit në aeroportin e Teheranit.

Atje, kontolli i pasaportave për të sapombërriturit, sikurse edhe në vendet e tjera, ndahej veçmas për iranianët, qytetarët e vendeve të tjera dhe për diplomatët. E pazakontë ishte vetëm në gjë, që unë u gjenda pothuaj e vetmja grua e pa shoqëruar. Të gjitha zonjat e tjera ishin me dikë...

Akreditimi, së bashku me fotografinë kokëmbuluar me shami, mori rreth dy orë. Aty nga mesi i kësaj procedure u shfaq një grua e re dhe aktive. Jam përkthyesja juaj, Shadija, u prezantua ajo dhe menjëherë më mbuloi me pyetje në kushtore të gjuhës ruse: kush jam unë, prej nga mbërrita, për cilin punoj. Më vonë, kolegët e shtypit ukrainas, të cilët i takova rastësisht në qytet, më sqaruan, se Shadija nuk është thjesht një përkthyese, që me mirësi paraqet faqen e mirë iraniane, por edhe bashkëpunëtore e forcave të sigurisë vendase. Në detyrat e saj hynte jo vetëm shoqërimi im dhe ndihma në përkthim, por edhe vigjilenca mbi atë, se çfarë pyes dhe fotografoj, për çfarë flas me kolegët. Për secilin nga gazetarët e huaj, patjetër që ishte e pranishme nga një “Shadije”. Madje, për burrat ishin bashkëpunëtorë të gjinisë mashkullore, për gratë të gjinisë femërore.

Shmangia nga Shadija, e cila më shumë pengonte, se ndihte, pasi njohuritë e saj gjuhësore ishin të nivelit minimal, ndërsa çdo kërkesë për të organizuar intervista përcillej me një shprehje të mundimshme të fytyrës, bëhej e mundur vetëm në mbrëmje. Gjithësesi, mëngjeseve të ditës tjetër Shadija më jepte të kuptoja, se ishte krejtësisht në dijeni, se me kë dhe se si i kisha kaluar orët e mbrëmjes. Plotësisht befasues ishte fakti, se për “shërbimet” e saj të shoqërimit dhe gjoja të përkthimit duhej paguar. Për këtë as që më kishte paralajmëruar ndokush, por pasaportën time e kishte Shadija dhe ajo m’u kthye, vetëm pasi kisha paguar llogarinë, rrumbullak 400 dollarë për dy ditë. Në valutë amerikane. Me që erdhi fjala, sapo Agjencia NNC, ku punonte Shadija, mori paratë, shoqëruesja ime duke u arsyetuar me punët e shumta, më la diku në rrethinat e Teheranit.

Galeria fotografike: Teheran 2012

Pas kësaj, s’më mbeti gjë tjetër, veç thjesht, të shëtisja nëpër qytet. Pothuaj pa para në xhep, me të cilat së fundi kisha paguar shërbimet e Shadijes, pa ditur gjuhën e vendit dhe pa kartë krediti. Nga ana tjetër, në planin e sigurisë e ndjeja veten mjaft rehatshëm. Megjithëse nuk isha e shoqëruar, nëpër rrugët e Teheranit askush nuk më kushtoi vëmendje. Në fakt, dy herë m’u afruan njerëz me uniformë ushtarake dhe kontrolluan aparatin tim fotografik. Duke shpjeguar, se aty afër gjendesh njëfarë objekti ushtarak, ata në mënyrë të vëmendshme këqyrën fotografitë e shkrepura prej meje. Për disa prej tyre kërkuan që të zhbëheshin. Disa foto kishin në plan të madh policë iranianë, disa të tjera paraqisnin parulla antiamerikane dhe grafite muresh.

Ngaqë nuk kisha ç’bëja, zbrita në metronë e Teheranit. Ishin tre linja me nga njëzet stacione afërsisht për secilën. Nuk kishte asnjë ornament arkitekturor nëpër stacione, të gjithë ngjanin me njëri-tjetrin. Së jashtmi, vagonët kishin një pamje plotësisht perëndimore, por ndaheshin për burra, të përzier burra e gra dhe vetëm për gra. Vagonat për zonjat ishin vendosur në fillim dhe në fund të trenit dhe zënë një të tretën e tij. Mesi i trenit i është dhënë tërësisht banorëve meshkuj dhe atyre fisnikeve të rralla, që kanë shoqërim burrëror. Duke qenë vetëm, u drejtova nga vagoni me mbishkrim në gjuhën perse dhe angleze, “women only”.

Sasia e femrave në vagon befasonte përfytyrimin vetë. Jo vetëm që të gjitha ndenjëset ishin të zëna dhe zonjat qëndronin ngjitur-ngjitur, por edhe rrinin ndenjur, madje shtrirë në dysheme. Të habiste fakti, se në fytyrat e shumë syresh vëreje ankerplastë të gjerë. Siç më shpjeguan më vonë, iranianet i dëshirojnë fort operacionet plastike, që korrigjojnë tiparet e papërsosura të fytyrës. Për më tepër, shumë zonja e kishin mbuluar fytyrën me maska mjekësore. Disa, që preferonin të luftonin në mënyrë më kardinale me infeksionet, përtypnin hudhër. Më së shumti, pikërisht prej kësaj preferova të lëviz me taksi nëpër Teheran.

Meqë ra fjala për taksitë. Nuk ka tarifë të njësuar për taksitë në qytet. Çmimi i udhëtimit varet jo vetëm nga largësia dhe Teherani është një qytet mjaft i madh, por edhe nga dendësia e trafikut si dhe koha e kaluar në makinë. Nëpër trafik, bie fjala, mund të kalosh pjesën më të madhe të ditës. Dhe problemi nuk qëndron te sasia e automjeteve në rrugë, por në stilin oriental të ngarjes së makinës. Pavarësisht në punojnë apo jo, askush nuk u kushton vëmendje semaforëve.

Gjezdisja nëpër Teheran është një vizitë, absolutisht, në një botë tjetër, në shumë gjëra irreale. Ndjesia e përgjimit të vazhdueshëm, policë që kontrollojnë dokumentet dhe fotoaparatin, mendimet mbi atë, se ç’duhet të flasësh e për çfarë nuk ia vlen...Ndonëse, pijet alkoolike janë të ndaluara në vend, ato janë të pranishme, pothuaj, në çdo shtëpi. Iranianët e dinë për mrekulli, se ku dhe me çfarë çmimi mund të blejnë një shishe me pije që nxeh. Gjithashtu, se ku mund të gjejnë gra me sjellje të lehta. Ekzistojnë lagje të tëra, ku mund të zgjedhësh tigreshat e dashurisë... Megjithë ligjet e rrepta të Sheriatit, në pamje të parë, iranianët duket se kanë gjetur ullukun, ku të përçojnë në përputhje me shoshoqen, si detyrimet e adeteve islamike, ashtu edhe mënyrën laike të jetesës. Pjesërisht kjo u përket edhe femrave, të cilat edhe tymosin duhan, edhe përdorin pije alkoolike, edhe sillen në kundërshti ndaj stereotipeve të ditura. Për hir të vërtetës, ato nuk i bëjnë këto gjëra sheshit.

...”Miss, më ndjeni, por këtu është rradha vetëm për burrat”,- më nxorri nga meditimi zëri i ngrohtë i një iraniani. Aeroporti ndërkombëtar i Teheranit. Është ora tre e natës. Po e lë Iranin dhe po kthehem në Moskë. Rradhë ndarazi për gra e burra në kontroll dhe femrat, se përse i këqyrin më imtazi, duke u ndukur çdo qoshezë të rrobave. Deri në fluturim mbeten akoma tridhjetë minuta. Në bordin e avionit asnjëra prej iranianeve nuk e ka mbuluar kryet me shami.

Grigori Shabanov, Milena Faustova