Rusia doli në vendin e dytë për nga sasia e grave në role udhëheqëse. Më shume ka vetëm në Filipine. Kurse në Hollandë po përgatisin një ligj mbi balancën gjinore: në këshillat drejtues të kompanive të mëdha zonjat duhet të jenë jo më pak se 30%. Nën veprimin e këtij ligji bien edhe kompanitë ruse “Jandeks”, “Evroset”, X5 Retail Group dhe Nord Gold.

Gruaja në rol drejtues është një tendencë botërore. Çdo vit që kalon ato bëhen gjithnjë e më shumë jo vetëm në biznes, por edhe në politikë. Në Rusi në çdo tre bosa njëri është grua. Por kjo nuk është e mjaftueshme. “Në Rusi ka pak gra që zenë poste të larta në strukturat shtetërore”,- deklaroi Presidenti Medvediev. Kështu, sipas studimit të kompanisë konsultativo-audituese PwC, në vitin 2011 zonjat zunë 21% të vendeve të reja vakante të drejtorëve të përgjithshëm dhe 60% ato të drejtorëve të financave. Ndërsa postet e kryellogaritarit, drejtorit të burimeve njerëzore dhe drejtorit të marketingut ka më shumë se dhjetë vjet që konsiderohen, ekskluzivisht, si profesione për femrat.

Puna është se institucioni i familjes në shoqëri gradualisht po del në plan të dytë, shpreh bindjen e vet Drejtorja e përgjithshme e agjencisë së kuadrove “Avis” Maria Kolldisheva:

- Institucioni i martesës dhe familjes ka dalë në plan të dytë. Nëse më parë femra ishte e suksesshme si nënë dhe bashkëshorte, tani, kur vlerat e martesës lëshojnë terren, ajo duhet diku ta realizojë veten. Dhe gjithnjë e më shumë gratë i drejtohen biznesit, ku dëshirojnë të mos luajnë rol të dorës së fundit.

Ekspertja e pavarur për çështjet e burimeve njerëzore Julia Janovskaja përmend, se në Rusinë bashkëkohore, një shumicë e konsiderueshme grash u shfaqën në poste drejtuese gjatë viteve të vështira ’90:

- Rrënjët e rritjes së aktivitetit të grave si drejtuese shtrihen në fillim të Perestrojkës. Asokohe ngjau një përthyerje psikologjike: njerëzit në Bashkimin Sovjetik doli se ishin krejtësisht të papërgatitur për përballjen me kushtet e reja jetësore. Gruaja kuptoi se roli i rojes së familjes kërkon aktivizimin e saj. Burrat, duke humbur punën, u thyen: dikush iu dha pijes, të tjerë e lëshuan veten me gjithsej. Dhe gratë ishin të detyruara, falë fleksibilitetit të tyre, të merrnin mbi vete atë rol, i cili nuk ishte aspak joshës për to. Shumë ishin të kënaqura me rolet e dyta, por puna e solli të marrin mbi vete të gjitha përgjegjësitë. Pikërisht në atë kohë shumë e shumë gra, organizatore të mrekullueshme, u shfaqën në biznesin e vogël dhe të mesëm, i cili më pas mori rritje.

Në prag të 8 marsit e përjavshmja amerikane "Newsweek" publikoi listën e 150 gravë më me ndikim në botë. Midis tyre ka edhe gra ruse, si mbrojtësja e te drejtave të njeriut Svietllana Ganushkina, gazetarja Masha Gessen dhe këngëtarja e operas Anna Netrebko.

Aleksandra Zaharova, Grigori Shabanov