Kryeministri i Libisë Abdel Rahim al-Kib bëri thirrje për të mbrojtur vendin nga “pseudo-revolucionarët”, të cilët kanë përvetësuar pronën shtetërore dhe tokat  e vendit. Kihen parasysh forcat e “brigadave” të armatosura, të cilat ndodhen jashtë kontrollit të autoriteteve.

Këto “brigada” dhe klanet që qëndrojnë pas tyre veprojnë në mënyrë të pavarur në vend, duke mbajtur nën kontroll shumë objekte të rëndësishme. Ndër to janë dhe godinat qeveritare, madje edhe aeroporti në Tripoli.

Abdel Rahim al-Kib kërkon ndihmë, siç u shpreh ai, nga “shumica e heshtur” e popullsisë, me qëllim që ajo të ndihmojë për të luftuar kaosin. Fjalët e tij i adresohen atyre njerëzve që duan stabilitet, mendon Kryebashkëpunëtorja shkencore e Institutit të Orientalistikës të Akademisë së Shkencave të Rusisë Elena Melkunian:

- Qeveria nuk ka kontroll ndaj të gjitha forcave të armatosura që veprojnë në Libi. Në vend qarkullojnë shumë armë të paregjistruara dhe askush nuk ka ndërmend t’i dorëzojë ato. Ndërsa kjo do të sjellë vetëm kaos dhe anarki në vend. Qeveria është e pazonja për ta përballuar këtë gjendje.

Megjithatë, jo të gjithë janë dakort me një interpretim të tillë të asaj që po ndodh aktualisht në Libi. Fjalimi i politikanit libian duhet vlerësuar më tepër si një jehonë e luftës ndërklanore, shprehet me bindje të plotë Zëvendës/drejtori i Institutit të Afrikës të Akademisë së Shkencave të Rusisë Dimitri Bondarenko:

- Ata që kanë ardhur tani në pushtet nuk kanë mundur ta rekomandojnë ende veten në sytë e popullit si njerëz besnikë ndaj idealeve të demokracisë, drejtësisë dhe lirisë. Ata përfaqësojnë forca të ndryshme, pa përmendur fare këtu ambiciet personale të udhëheqësve. “Brigadat” gjithashtu pretendojnë për pjesën e vet në pushtet. Për nga pikëpamja e logjikës revolucionare, thirrjet për luftë kundër tyre janë krejtësisht të logjikshme. Ato e përmbushën misionin e tyre për arritjen e fitores ndaj Muammar Al-Gaddafi dhe tani po bëhen të rrezikshme për forcat e tjera politike.

Kryeministri i Libisë në fjalimin e vet shprehu mospranimin e federalizmit. Pas deklaratave për kundërshtimin e federalizmit analistët vërejnë synimin për të gjetur një model të tillë, gjatë aplikimit të të cilit rajone të ndryshme të vendit të mund të jenë të kënaqura me gjendjen e vet dhe të kenë më tepër mundësi për të menaxhuar burimet e tyre. Për shembull, Muammar Gaddafi nuk përkujdesej fort për rajonet lindore të vendit dhe Cyrenaica jetonte në varfëri të tmerrshme, pavarësisht nga fakti se atje nxirrej pothuajse e gjithë nafta e Libisë.

0Përsa i përket tendencave të autonomisë që vërehen në shumë rajone të vendit, duhet thënë, se ato, po ashtu si dhe “brigadat” e armatosura, jo vetëm që e dobësojnë qeverinë qendrore, por dhe e bëjnë Libinë më pak atraktive për investimet e huaja. Në këtë situatë, në sfondin e mbretërimit të kaosit të plotë, është krejtësisht e pamundur të zhvillohet procesit politik, t’i kushtohet vemendje ekonomisë dhe nevojave të popullsisë.

Boris Pavlishiev, Grigori Shabanov