“Hej, Qiell, hiq kapelen!”, - thirri gjatë nisjes së fluturimit femra e parë kozmonaute në botë Valentina Tereshkova. Ajo startoi nga kozmodromi me anijen kozmike “Vostok” në qeshor të vitit 1963 dhe për 3 ditë bëri 48 fluturime rreth Tokës.

Më 6 mars mbajtësja e titullit të lartë Hero i Bashkimit Sovjetik, e gradës ushtarake gjeneral-major, qytetarja e nderit e shumë vendeve të botës dhe deputetja e Dumës Shtetërore të Rusisë Valentina Tereshkova mbushi plot 75 vjeç.

Në prag të nisjes ajo u tha të afërmve se po shkon për pjesëmarrje në konkursin e parashutistëve. Lajmin për fluturimin e saj familjarët e dëgjuan në radio. Kjo u parapri nga stërvitje të gjata dhe rraskapitëse. Në ato vite sistemi i trajnimit ishte jashtëzakonisht i ashpër, i pamëshirshëm. Nuk ishte madje dhe aq e tmerrshme centrifuga me mbingarkesën e vet kolosale, se sa sprova psikologjike. 7 ditë qëndrimi në një dhomë të mbyllur, të bardhë pa asnjë objekt brenda. Ndërsa ajo buzëqeshte dhe këndonte këngë të ndryshme... Para se të përfshihej në njësinë e kozmonautëve Tereshkova pat punuar në uzinën e prodhimit të gomave dhe merrej për sport me parashutim në klubin e aviacionit në Jarosllavl, ndërkohë që vazhdonte shkollën e mesme teknike, tregon dy herë Hero i Bashkimit Sovjetik Vladimir Xhanibekov:

- Është i habitshëm fati i gruas ruse, e cila arriti të kapërcejë të gjitha sprovat e pengesat që hasi në rrugën e saj. Edhe platforma e startit të Valentinës është mjaft interesante: si fillim biografia me origjinë proletare, më pas ndjekja e shkollës së aviacionit sportiv dhe vetë fluturimi në kozmos. Më tej prova e famës, mbingarkesat e mëdha sociale - dhe të gjitha këto i përballoi me dinjitet gruaja e jashtëzakonshme e bukur ruse Valentina Tereshkova.

Anija “Vostok-6” ishte kaq e vogël, sa që në të mund të qëndrohej vetëm në pozicion gjysmë të shtrirë. Dhe asaj iu desh të qëndrojë në këtë pozicion plot 3 ditë. Në programin automatik të anijes kozmike ishte anashkaluar një gabim, - kujton Valentina Tereshkova:

- Sekreti, të cilin unë e kam ruajtur për 30 vjet. Në vend që të ulej dhe të zbatonte sistemin e uljes në Tokë, programi ishte aplikuar në mënyrë të tillë, që orbita ulej, ndërsa unë fluturoja tutje nga Toka.

Këtë gabim ajo e pikasi në kohë dhe raportoi në Qendrën e Drejtimit të Fluturimeve. Pasi mori të dhënat e duhura Tereshkova i hodhi ato në sistemin e uljes dhe realizoi me sukses uljen në Tokë.

Pas realizimit të fluturimit kozmik Valentina Tereshkova përfundoi me diplomë të kuqe Akademinë e Forcave Ushtarake Ajrore. Ajo ka mbrojtur titullin “Profesor”, është autore e më shumë se 50 punimeve shkencore. Për një kohë të gjatë ajo ka punuar në Qendrën e Trajnimit të Kozmonautëve, duke u marrë atje me veprimtari publike ndërkombëtare.

Valentina Tereshkova është gruaja e vetme në Tokë, e cila ka kryer në mënyrë individuale fluturimin në kozmos. Të gjitha femrat e tjera pasuese kozmonaute dhe astronaute kanë fluturuar gjithmonë në kozmos vetëm në përbërje të ekuipazhit.

Mihaill Aristov