Rusia po aktivizon përpjekjet për të gjetur një rrugëzgjidhje paqësore të krizës në Siri. Për këtë qëllim ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të niset më 10 mars në Kajro, ku çështja siriane do të ngrihet për shqyrtim në takimin e tij me homologët nga Lidhja e Shteteve Arabe.

Pikat kryesore të pozicionit rus Sergei Lavrov i parashtroi në një konferencë të përbashkët shtypi me kolegun e tij jordanez Nasser Judeh në Moskë:

- Duke u pajtuar me domosdoshmërinë e kërkimit në mënyrë rigoroze të ndërprerjes së luftimeve nga ana e qeverisë së Sirisë në qytetet dhe vendbanimet e tjera të vendit, ne i përmbahemi mendimit se në të njëjtën mënyrë duhet të ndalojnë edhe veprimet luftarake nga ana e palës tjetër kundërshtare. Përndryshe, do të ishte diçka ireale të pritej ndalimi i dhunës nga njëra palë, ndërkohë që pala tjetër thjesht do të merrte nën kontroll territoret e çliruara.

Megjithatë, një qasje të tillë humane nuk e pranojnë të gjithë. Të hënën Senatori i SHBA nga Partia Republikane John McCain i bëri thirrje Uashingtonit për të kryesuar operacionin ushtarak ajror ndërkombëtar kundër regjimit të Bashar Al-Assad. Dhe megjithëse pozita e shprehur prej tij është vetëm një mendim personal, Amerika dhe disa nga vendet e Evropës po e tensionojnë në mënyrë të theksuar situatën rreth Presidentit sirian.

Perëndimit i duhet të punojë aktivisht së bashku me Rusinë për zgjidhjen e konfliktit me mjete paqësore dhe jo me thirrjet për të ushtruar presion mbi regjimin e Bashar Al-Assad, mendon Sergei Lavrov:

- Për të satën herë ne po bindemi në domosdoshmërinë për të mos pritur nga njëri-tjetri ndofarë veprimesh magjike, por për t’u ulur bashkarisht e për të rënë dakort mbi atë se si të ndjekim të gjithë një linjë të vetme, e cila do të parashikojë ndikimin mbi të gjitha palët kundërshtare siriane për të ndaluar të shtënat dhe për të filluar një dialog mbarëkombëtar.

Sipas fjalëve të Ministrit Lavrov, pikërisht për arritjen e këtij qëllimi ishte e drejtuar projekt-rezoluta, e cila u përpilua në bazë të iniciativës së nëntorit të Lidhjes së Shteteve Arabe. Moska do tu kujtojë partnerëve të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ekzistencën e këtij projekti dhe ndjek me vemendje të përqendruar misionin e të Dërguarit të përbashkët të OKB-së dhe Ligës Arabe Kofi Annan, i cili pritet të mbërrijë të shtunën në Damask, vazhdon Sergei Lavrov.

- Ne do të bëjmë çmos për ta mbështetur me të gjitha mënyrat këtë mision, po ashtu si dhe misionin humanitar të Zëvendës/Sekretarit të Përgjithshëm Vellari Amos. Ne bashkëpunojmë shumë ngushtë me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili po merret aktualisht me veprimtari humanitare në Siri.

0Ndërkohë, Moska ka reaguar ndaj projekt-rezolutës amerikane për Sirinë, e cila u paraqit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Sipas mendimit të saj, ajo paraqet në vetvete një version fare pak të përditësuar të dokumentit të mëparshëm, mbi të cilin Rusia dhe Kina në muaji shkurt vunë veton e tyre dhe “kërkojnë një balancim të qenësishëm”.

Boris Pavlishiev