Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (ANEA) do t’i sugjerojë Teheranit hapjen për inspektime të objektit bërthamor Parçin (Parchin). Pritet që vendimi për këtë të merret pas bisedimeve rreth programit bërthamor të Iranit në pranverë.

Ekspertët besojnë se pikërisht në këtë vend zhvillohen përpunimet bërthamore për qëllime ushtarake. Kjo ka gjetur pasqyrim në raportin e ANEA-s, i cili u është shpërndarë për shqyrtim përfaqësuesve të 35 vendeve - anëtare të organizatës.

Pritet që Irani të ftohet përsëri për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve që kanë të bëjnë me qendrën në Parçin dhe për t’i dhënë akses inspektorëve ndërkombëtarë në këtë objekt. Përgjigja e Teheranit është tejet e vështirë të parashikohet, tha anëtari i Këshillit për Politikë të Jashtme dhe të Mbrojtjes të Rusisë Vladimir Averçev:

- Për shumë vite me radhë Irani herë i ka lejuar inspektorët për të vizituar objektet e veta, e herë ia ka kufizuar aksesin atyre në to. Në marrëdhëniet me ANEA-n Teherani për vite të tëra balancon në kufirin e prishjes së marrëdhënieve. Megjithatë, ai nuk e ka kapërcyer kurrë këtë cak.

Në raportin e ANEA-s thuhet, se Agjencia nuk mund të garantojë mungesën në Iran të materialeve të padeklaruara bërthamore, po ashtu si dhe përdorimin e tyre për qëllime paqësore. Mbi këtë bazë një sërë anëtarësh të ANEA-s e konsiderojnë dialogun e palëve “të dështuar”. Megjithatë, duhet thënë, jo të gjithë. Këtë pozitë nuk e pranojnë Kina dhe Rusia. Ato, në veçanti, mendojnë se ekzistojnë mundësitë për rifillimin e dialogut të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë me Iranin.

Pritet që në mbledhjen e ANEA-s delegacioni rus të parashtrojë propozimin e paradokohshëm të Vladimir Putinit në lidhje me Iranin: të njihet e drejta e tij për zhvillimin e programit civil bërthamor, por të bëhet një gjë e tillë në këmbim të vënies së gjithë aktivitetit bërthamor të Teheranit nën kontrollin e plotë të ANEA-s. Me këtë pajtohet plotësisht orientalisti rus Andrei Volodin:

- Propozimi i Rusisë është pjekur që prej kohësh. Sanksionet nuk kanë vlerë praktike në zhvillimin e brendshëm të Iranit. Ai po shkon nëpër rrugën që pat ndjekur India gjatë drejtimit të Jawaharlal Nehru. Ky është zhvillimi i kompleksit vetiak të riprodhimit dhe pjesëmarrja në ndarjen ndërkombëtare të punës. Sanksionet i shkaktojnë dëm vetë iniciatorëve të tyre, meqenëse po ajo naftë iraniane mund t’i shitet pa problem Kinës, Indisë, vendeve të tjera, të cilat nuk janë përfshirë në regjimin e sanksioneve.

0Eksperti mendon gjithashtu, se propozimi rus për zhbllokimin e situatës  së krijuar rreth Iranit mund ta ndihmojë realisht Perëndimin për të dalë nga “situata delikate”, ndërsa po të shprehemi pa doreza, “absurde”, në të cilën u ndodh ai pas vendosjes së sanksioneve të njëanshme kundër Teheranit.

Konstantin Garibov