Vladimir Putin fitoi në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në bazë të trajtimit të pothuajse 100% të fletëvotimeve. Intriga kryesore u shtjellua në këto zgjedhje rreth luftës për vendin e tretë: ku kandidati i vetë-promovuar Mikhail Prokhorov me më shumë se 1% parakaloi Liderin e Partisë Liberal Demokratike të Rusisë (LDPR) Vladimir Zhirinovski.

Vladimir Putin do të bëhet për herë të tretë President i Federatës Ruse. Si rezultat i përpunimit të më shumë se 99% të fletëvotimeve në zgjedhjet presidenciale në Rusi, për të e dhanë votën e vet pothuajse 64% e zgjedhësve. Në vendin e dytë u rendit Udhëheqësi i Partisë Komuniste të Federatës Ruse (KPRF) Gennadi Zyuganov me 17.2%. Kandidati i vetëpromovuar, miliarderi Mikhail Prokhorov siguroi 7.8% të votave në mbështetje të vet. Lideri i Partisë Liberal Demokratike të Rusisë (LDPR) Vladimir Zhirinovski deri tani ka fituar 6.23% të votave. Ndërsa e mbyll pesëshen e kandidatëve presidencialë themeluesi i Partisë “Rusia e Drejtë” Sergei Mironov me 3.85% të votave.

Shifrat e para në konferencën përfundimtare për shtyp i komentoi Kryetari i KQZ-së të Rusisë Vladimir Çurov:

- Pas përpunimit të më tepër se 99% të fletëvotimeve mund të deklarohet se pjesëmarrja në votim ishte 65.3, tregues ky që është 5% më i lartë se në zgjedhjet parlamentare të 4 dhjetorit të vitit 2011. Dua të uroj gjithë elektoratin rus për këtë tregues kaq të mirë. Sipas të dhënave paraprake, Vladimir Putin fitoi 45 milionë prej 109 milionë votave të zgjedhësve. Kjo shifër përbën 65.75% të numrit total të personave që erdhën për të votuar.

Në shtabin zgjedhor të Udhëheqësit të Partisë Komuniste të Federatës Ruse (KPRF) Gennadi Zyuganov që para mbylljes së qendrës së fundit të votimit nxituan të deklarojnë mbi “shkelje masive” të bëra gjatë procesit të votimit. Kurse vetë Lideri i komunistëve, tashmë pas dukjes së shifrave të para, tha se nuk i njeh zgjedhjet as si të ndershme, as si të pastra dhe as si të denja.

Megjithatë, oponentët e tij nuk pajtohen aspak me një vlerësim të tillë. Po ashtu si dhe shumica e vëzhguesve. Vëzhguesve ndërkombëtare i bëri një përshtypje të veçantë, mjaft impresionuese, duhet thënë, transmetimi i drejtpërdrejtë i procesit të votimit me ndihmën e web kamerave. Kjo praktikë mund të bëhet një model i mirë për shumë vende perëndimore, u shpreh me bindje të plotë deputeti i Parlamentit Evropian, vëzhguesi nga Hungaria Bela Kovaç:

- Web kamerat ndihmojnë jo vetëm ata që punojnë në sistemin e procesit zgjedhor. Ky është një hap i mirë drejt votimit me të vërtetë të hapur, transparent, demokratik. Si deputet i Parlamentit Evropian unë kam ndërmend të shkruaj një raport, në të cilin do t’u rekomandoj kolegëve të mi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 të përdorin pikërisht këtë teknologji.

Nuk vuri re probleme të veçanta në organizimin e votimit edhe Sergei Mironov. Kandidati presidencial nga Partia “Rusia e Drejtë” mendon, se zgjedhjet presidenciale kaluan shumë më qetë se ato parlamentare të 4 dhjetorit të vitit 2011. Lideri i Partisë Liberal Demokratike të Rusisë (LDPR) Vladimir Zhirinovski, duke komentuar rezultatet e votimit, nuk shprehu gjithashtu pretendime e ankesa të veçanta. Ai beson se partia e tij, pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve, nuk do të zhduket nga skena politike e Rusisë.

0Kandidati i vetëpromovuar, miliarderi Mikhail Prokhorov, i cili zuri vendin e tretë, konfirmoi synimin e tij “për t’i hyrë seriozisht dhe për një kohë të gjatë rrugës së politikës”. I uroi sukses në këtë pikësynim atij Vladimir Putin, me të cilin pas zgjedhjeve biznesmeni pati një bisedë telefonike. Vladimir Putin arriti të komunikojë gjithashtu edhe me Vladimir Zhirinovskin dhe Sergei Mironovin, të cilët i telefonuan atij për ta uruar me rastin e fitores në zgjedhjet presidenciale. Duam të shtojmë nga ana jonë, se rezultatet zyrtare të zgjedhjeve presidenciale KQZ-ja e Federatës Ruse duhet t’i shpallë jo më vonë se 16 marsi.

Igor Sileckij