Në Rusi përfunduan zgjedhjet presidenciale. Në këtë moment po vazhdon numërimi i votave. Mbi bazë të të dhënave më 05.00 sipas orës së Moskës për kandidatin Vladimir Putin kanë votuar 64,72% e zgjedhësve. Për kandidatin Gennadi Zyuganov - 17,1%. Për kandidatin Vladimir Zhirinovski - 6,37%. Për kandidatin Sergei Mironov - 3,74%. Për kandidatin Mikhail Prokhorov - 6,99%.

Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve presidenciale duhet të shpallen jo më vonë se data 14 mars.

Sipas legjislacionit të Federatës Ruse për zgjedhjet, në bazë të rezultateve të votimit fitues njihet kandidati që merr shumicën absolute të votave: 50% + çdo numër tjetër votash. Në qoftë se asnjëri nga kandidatët nuk arrin të marrë më shumë se gjysmën e votave të zgjedhësve, atëhere fituesi përcaktohet në raundin e dytë të zgjedhjeve. Në të përfshihen kandidatët, të cilët në raundin e parë të votimit zunë vendin e parë dhe të dytë.

Ecurinë e procesit të votimit dhe respektimin e të gjitha normave përkatëse e ndjekin delegacione të shumta të vëzhguesve të huaj. Ata përfaqësojnë organizata të tilla si OSBE-ja, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), Organizata e Bashkëpunimit e Shangait (OBSH) si dhe plot struktura të tjera. Atyre u janë dhënë kompetenca analogjike me të drejtat e vëzhguesve kombëtarë.

Shënim: Fushata e tanishme elektorale ka një sërë dallimesh nga zgjedhjet e viteve të mëparshme. Për herë të parë Presidenti i Federatës Ruse është zgjedhur për 6 vjet (dhe jo për 4 vjet si më parë). Janë futur risi të shumta që kanë të bëjnë me sjelljen elektorale dhe procedurën e votimit. Me porosi të Kryeministrit të Federatës Ruse të gjitha pikat e votimit në vend (më shumë se 91.000) janë pajisur me video kamera (nga 2 në çdo vendvotim). Videomonitorimi kryhet gjatë procesit të votimit si dhe numërimit të votave.