Qytetarët rusë sot po zgjedhin presidentin e vendit. Nga ora 08:00 e mëngjesit e deri më 20:00 të mbrëmjes, sipas orës lokale, do të jenë të hapura dyert e 96.000 vendvotimeve në gjithë territorin e Rusisë. Jashtë vendit ata që dëshirojnë mund të votojnë në ambasadat dhe konsullatat e Federatës Ruse. Qendra mobile votimi janë vendosur në aeroportet dhe në stacionet hekurudhoret anembanë vendit. Votimi do të zhvillohet madje dhe në hapësirën kozmike (në Stacionin Kozmik Ndërkombëtar). Për herë të parë Presidenti i Rusisë do të zgjidhet për 6 vjet.

Për postin më të lartë shtetëror pretendojnë 5 kandidatë: Kryetari aktual i qeverisë ruse Vladimir Putin nga Partia “Rusia e Bashkuar”, Udhëheqësi i përhershëm i Partisë Komuniste të Federatës Ruse (KPRF) Gennadi Zyuganov, Lideri i Partisë Liberal Demokratike të Rusisë (LDPR) Vladimir Zhirinovski, themeluesi i Partisë “Rusia e Drejtë” Sergei Mironov dhe miliarderi i vetë-promovuar Mikhail Prokhorov.

Të parët fillojnë të votojnë banorët e Lindjes së Largët të Rusisë. Në Kamçatkë, Çukotkë, në rajonin e Magadanit banorët e parë shkojnë në vendvotimet përkatëse kur në Moskë është ende natë e thellë. Gjithsej, sipas të dhënave të KQZ-së, të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet presidenciale të 4 marsit të vitit 2012 mund ta përdorin më shumë se 109 milionë njerëz - këta janë qytetarë të Rusisë të cilët kanë arritur moshën 18 vjeç.

Ndërkohë, duhet thënë, se gati një milion e gjysmë votues ndodhen jashtë kufijve të vendit. Posaçërisht për ta në ambasadat dhe konsullatat ruse në 146 shtete të botës do të hapen qendra votimi. Më shumë qytetarë rusë, të cilët gëzojnë të drejtën e votës, ndodhen në Gjermani - rreth gjysmë milioni, në Moldavi - 180.000, në Izrael - 160.000. Në 58 vende Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Rusisë zhvilloi tashmë votimin e hershëm. Ndër to janë edhe shtetet islamike, ku e diela është ditë pune.

Që nga 17 shkurti e deri më 3 mars u organizua votimi i hershëm edhe në 36 rajone ruse në zonat e thella, shumë të largëta e të izoluara të Lindjes së Largët, Siberisë dhe Uralit. Patën gjithashtu mundësi të votojnë më herët se të tjerët ata që punojnë në stacionet e largëta polare, në faret detare dhe që lundrojnë me anije. Kështu, deri tani kanë votuar marinarët e skuadronit të anijeve të Flotës ruse të Paqësorit, të cilët ndodhen aktualisht në dezhurn luftarak anti-pirateri në Gjirin e Adenit, pranë brigjeve të Somalisë, si dhe paqeruajtësit rusë në kryeqytetin e Republikës së Sudanit Jugor - Juba. Rezultatet e votimit të hershëm do të mbahen konfidenciale deri në mbrëmjen e 4 marsit, kur do të japin votën e vet gjithë qytetarët rusë.

Zgjedhjet në Rusi, si gjithmonë, zgjojnë një interes mjaft të madh në botë. Në Federatën Ruse kanë ardhur tashmë delegacione të shumta të vëzhguesve të huaj nga Bashkësia e Shteteve të Pavarura (BSHP apo CIS), OSBE-ja, PACE-ja, Këshilli i Evropës, Organizata e Bashkëpunimit e Shangait (OBSH) dhe Këshilli Nordik. Në total - më shumë se 700 ekspertë të huaj.

Gjatë procesit të votimit, në mënyrë shumë më aktive se më parë, janë përfshirë në monitorim edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile ruse. Kështu, mbi 60.000 vullnetarë - juristë të rinj, të cilët krijuan trupin e vëzhguesve “Për zgjedhje të ndershme (të pastra)”, sigurojnë kontrollin e pavarur ndaj zgjedhjeve presidenciale në Rusi. Ata bashkëveprojnë me shoqata të tjera të tilla si “Lidhja e votuesve” («Лига избирателей»), “Qytetari vëzhgues” («Гражданин наблюдатель»), “Rosvibori” («Росвыборы»), “Kontrolli qytetar” («Гражданский контроль»). Të gjitha këto shoqata u krijuan me iniciativën e qytetarëve, të cilët ishin të pakënaqur me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar.

Me qëllim që të minimizohen mundësitë për  falsifikime e manipulime në mijëra vendvotime janë instaluar sisteme elektronike për përpunimin dhe numërimin e fletëvotimeve si dhe rreth 60.000 kuti votimi transparente. Edhe një tjetër risi e zgjedhjeve të tanishme janë Webcam. Me web kamera janë pajisur rreth 90.000 qendra votimi në gjithë vendin. Gjatë procesit të votimit në regjim kohe reale (online) në Internet çdokush mund të ndjekë ecurinë e tij në site webvybory2012.ru. Përveç kësaj, për komunikim të shpejtë është hapur gjithashtu hotline i KQZ-së, që përfaqëson në vetvete lidhjen telefonike multi-line nëpërmjet së cilës mund të njoftohet mbi parregullsitë dhe shkeljet e ndryshme.

0Të gjitha të dhënat mbi ecurinë e votimit, pjesëmarrjen e votuesve dhe rezultatet paraprake të zgjedhjeve presidenciale në Federatën Ruse në regjim kohe reale vijnë në Qendrën e Informacionit të KQZ-së. Rezultatet e para të votimit do të bëhen publike më 21:00 sipas orës së Moskës, kur të mbyllen qendrat e votimit në rajonin më perëndimor të Rusisë - në qarkun e Kaliningradit. Deri më 14 mars KQZ-ja duhet të përfundojë numërimin e votave dhe para 17 marsit t’i publikojë zyrtarisht rezultaet e votimit.

Svetllana Kallmikova