Më 5 mars në Uashington janë planifikuar bisedimet e Presidentit amerikan Barack Obama dhe Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu. Tema kryesore e tyre është goditja preventive kundër Iranit.

Botimi i përditshëm prestigjioz izraelite “Haaretz” citon fjalët e një diplomati anonim izraelit: “Bisedimet me SHBA ngjasojnë shumë me seksin e porcupines (një lloj iriqi - lat. Hystrix cristata) - të ngadaltë dhe të kujdesshëm. Amerikanët bëjnë shumë deklarata të përgjithshme, të cilat ne, sipas mendimit të tyre, na e ka ënda t’i dëgjojmë. Kurse ne në vijim i pyesim ata: po ku është pika kritike? Si duhet të kuptojnë iranianët se në qoftë se nuk do të ndalen, atëhere do të sulmohen?”.

Në janar Shefi i CIA-s amerikane David Petraeus në seancën dëgjimore në Senat deklaroi, se në kohën e tanishme fakti i miratimit nga Irani të vendimit mbi prodhimin e armës bërthamore nuk mbështetet nga kurrfarë provash. Me një deklaratë të ngjashme doli edhe Ministri amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta.

Megjithatë, Tel Aviv-i zyrtarisht dhe përmes rrjedhjeve të informacionit në media bën fare të qartë, se në sfondin e kërcënimit iranian në rritje ai nuk mban më përgjegjësi për veprimet e veta, pavarësisht nga fakti se ambicjet e tij i mbështesin - kjo është krejtësisht paradoksale - vetëm Arabia Saudite dhe Katari.

Retorika e ashpër anti-izraelite e Iranit - në kombinim me bataret e rregullta raketore - perceptohet në shtetin hebraik si një kërcënim krejtësisht real. Benjamin Netanjahu është plotësisht i vendosur në synimin e vet për të dhënë goditjen mbi Iranin, por “pa SHBA ai nuk mund ta fillojë atë”, - vë në dukje Akademiku rus Eugjeni Primakov, i cili në vite të ndryshme ka kryeuar MPJ dhe Zbulimin e jashtëm.

Por vetëm me goditje raketore - madje dhe të përbashkëta, të kombinuara - nuk do të mund të arrihet dot pikësynimi, “sepse aviacioni mund të bombardojë sa të dojë, por potenciali bërthamor i Iranit është fshehur thellë nën tokë. Goditjet ajrore nuk do të asgjësojnë dot të gjitha objektet bërthamore të Iranit. Kurse operacionet tokësore, nëse ndokush do të tentojë të ndërmarrë një gjë të tillë, do të përfundojnë me dështim të plotë, meqenëse në Iran do të jetë shumë më e vështirë të luftohet se sa në Irak”, - mendon Eugjeni Primakov.

Përveç kësaj, “Zyrtarët amerikanë, të cilët vlerësojnë mundësitë e sulmit të mundshëm të Izraelit mbi Iranin, mendojnë se Teherani do të kundërpërgjigjet me goditje raketore mbi territorin e Izraelit dhe me ndërmarrjen e akteve terroriste kundër personave zyrtarë dhe ushtarakë të SHBA jashtë vendit”, - shkruan gazeta “The New York Times”.

Dhe, së fundi, është krejtësisht real rreziku kërcënues për gjithë kompleksin e naftës të Gjirit Persik.

Prandaj, me sa duket, kjo është dhe arsyeja që Barack Obama, duke përsëritur se “nuk përjashton asnjë mundësi” të ndikimit mbi Iranin, ushqen megjithatë shpresën, siç njoftoi në janar botimi “The Washington Post”, se problemet e telashet ekonomike, të shkaktuara nga sanksionet, do të çojnë në shpërthimin e trazirave social, gjë kjo që ose do t’a bëjë udhëheqjen iraniane t’i thërrasë mendjes, ose do të çojë në përmbysjen e saj. Ndërsa fushata ushtarake me një përfundim fare të paqartë nuk i duhet aspak atij në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale në vend.

Nuk i duhet ajo as udhëheqjes iraniane. Ndërsa vetë zhurma e buja anti-iraniane madje i leverdis asaj. Vitin e ardhshën në Iran do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Presioni i hapur dhe kërcënimet nga ana e SHBA dhe Izraelit (Djalli (Satana) i Madh dhe Djalli i Vogël - në frazeologjinë politike iraniane) shndërrohen në faktorë të rëndësishëm për shtrëngimin e radhëve të elektoratit rreth elitës drejtuese të vendit.

0I gjithë problemi konsiston në atë, se ky përshkallëzim i kërcënimeve të ndërsjellta, rreptësimit të sanksioneve dhe manovrave ushtarake nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Megjithatë, ndonjë alternativë të kësaj ne nuk ka gjasa të shohim edhe pas përfundimit të takimit të Barack Obama me Benjamin Netanjahu.

Andrei Iliashenko