Kryeministri dhe kandidati presidencial i Rusisë Vladimir Putin zhvilloi një takim me kryeredaktorët e botimeve kryesore ndërkombëtare. Në takimin me Kryeministrin erdhën drejtuesit e gazetave më të mëdha - botimit japonez “Asahi Shimbun”, atij francez “Le Monde”, italian “La Republika”, gazetës britanike “The Times”, asaj gjermane “Handelsblatt” dhe të përditshmes kanadeze “The Globe and Mail”.

Shumica e pyetjeve që iu drejtuan Vladimir Putinit kishte të bënte me fushatën parazgjedhore dhe veprimtarinë e opozitës pas zgjedhjeve të 4 dhjetorit për Dumën Shtetërore. Kryeministri rus deklaroi se protestat janë një dukuri krejtësisht e zakonshme për të gjithë botën:

- Ndaj veprimeve të partisë në pushtet përqendrohet zakonisht vemendja e kritikëve. Strukturat pushtetore duhet të reagojnë në mënyrë aktive, operative, të interesuar ndaj gjithçkaje që ndodh në vend, ndaj prirjeve të njerëzve dhe t’u përgjigjen aspiratave të tyre. Situata e krijuar i bën vetë autoritetet më të qëndrueshme, më të afta për të mbijetuar, u imponon atyre nevojën për të vrarë mendjen dhe për të kërkuar rrugëzgjidhje.

Kryeredaktorja e gazetës “Le Monde” Sylvie Kauffmann e pyeti kandidatin presidencial - përse nuk ka marrë pjesë ai në debatet televizive me rivalët e tij. Vladimir Putin vuri në dukje, se preferon të merret më mirë me punë reale se sa me premtime paraelektorale:

- Unë i respektoj të gjithë kolegët e mi - kandidatë presidencialë. Unë i njoh që prej shumë vitesh ata dhe jam në dijeni të plotë të përmbajtjes së programeve të tyre. Kur njerëzit për vite me radhë ndodhen në opozitë, ata, natyrisht, kritikojnë autoritetet dhe premtojnë shumë. Por shpesh herë nuk e vrasin fort mendjen në lidhje me atë, se të gjitha premtimet e bëra do të duhet të realizohen në jetë një ditë. Në artikujt e mi programatikë unë propozoj një sërë hapash në politikat e sferave të ekonomisë, shëndetësisë, demografisë. Diskutimi, debati në sfondin e premtimeve populiste është punë e kotë, pemë pa kokrra. Përveç kësaj, ligji lejon pjesëmarrjen në debate të përfaqësuesve të kandidatëve.

Kryeministri komentoi edhe një herë mundësinë e emërimit të Dimitri Medvedievit në postin e kryeministrit të vendit, në rast të fitores së tij në zgjedhjet presidenciale. Ai tha se për këtë ai pat deklaruar hapur që vitin e kaluar. Kritere kryesore të emërimit të Putinit si kandidat për presidencën në Rusi u bënë rejtingu i tij më i lartë në radhët e popullsisë dhe rezultatet e punës së qeverisë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së kryeredaktorit të gazetës britanike “The Times” James Harding mbi qëndrimin e Rusisë ndaj situatës në Siri, Vladimir Putin deklaroi se sot detyrë kryesore është ulja e palëve kundërshtare në tryezën e bisedimeve. Gjatë kësaj, tha Kryeministri rus, përtej kufijve të Sirisë opinioni publik nuk merr gjithmonë informata të sakta mbi gjendjen reale të punëve të këtë vend:

- Njerëzit e shikojnë atë që ndodh në Siri me sytë tuaj. Shumë pak kanë mundësi të vijnë vetë në Siri e të shikojnë se çfarë po ndodh atje në realitet. Ne përpiqemi të udhëhiqemi në logjikën e veprimeve e gjykimeve tona nga ajo që po ndodh me të vërtetë atje. Në këtë vend ka filluar faktikisht konflikti i armatosur civil. Dhe qëllimi ynë është arritja e pajtimit ndërsirian. Nuk duhet lejuar kurrsesi përsëritja e skenarit të Libisë në Siri.

0Vladimir Putin deklaroi gjithashtu, se Rusia do të bëjë gjithçka të mundur për parandalimin e shpërthimit të konfliktit ushtarak në Iran. Sepse ai është i mbarsur me pasoja tejet negative edhe për Rusinë, edhe për shumë vende të tjera.

Ilia Harllamov