Gazsjellësi “Altai” me itinerar nga Rusia për në Kinë është një invazion në Shambalanë mitike të shenjtë (Tibet), prandaj puna për ndërtimin e tij në rrafshnaltën (pllajën) e epërme liqenore të rezervatit të Ukokut duhet të ndërpritet, deklarojnë etnografët dhe ekologët. Por ekspertët mendojnë, se është ende herët që gazësjellësi “të varroset”. Ekzistojnë variante alternative.

“Altai” është një gazsjellës i projektuar të kalojë përmes burimeve të gazit në Siberinë Perëndimore dhe Sinczjanit (Xinjiang) në perëndim të Kinës. Gjatësia e tij është rreth 7 mijë kilometra. Në "Gazprom" pohojnë, se janë parashikuar të gjitha mundësitë e itinerareve të shtrimit të tubave. Vendimi për zgjedhjen e trasesë u diktua jo vetëm prej çmimit të projektit, por duke marrë parasysh edhe problemet ekologjike.

Ndërkohë, Grinpisi (Greenpeace) i Rusisë këmbëngul që ky projekt duhet varrosur. Rrafshnalta Ukok, përmes së cilës duhet të kalojë tubacioni, është një objekt natyror unikal, thonë ekologët. Ajo është përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESKO-s dhe nëse ndërtimi do nisë, atëherë kjo zonë në Altai mund të marrë statusin “Objekt i trashëgimisë botërore nën kërcënim”. Kjo është një goditje ndaj imazhit të Rusisë.

Përpos kësaj, etnografët dhe vetë altajasit e lidhin këtë vend me kulte të ndryshme mitike. Thonë, se pikërisht atje gjendet Shambalaja e mistershme. Cila është rrugëdalja? Ekspertët propozojnë një itinerar alternativë, nëpërmjet Kazakistanit dhe Mongolisë. Me këtë propozim pajtohet analisti Vitalij Mihalçuk:

- Tubacioni mund të bëjë një kthesë të vogël dhe ta shmangë këtë zonë. Për nivelin që ka "Gazprom", ky nuk është ndonjë problem i madh, që duke shtuar shpenzime plotësuese prej disa qindra milionë dollarë të shmangë rrafshnaltën në fjalë. Por nëse çështja shtrohet në mënyrë kategorike,ose gazsjellësi kalon nëpër këtë zonë, ose thjesht ai nuk ekziston, atëherë, mendoj se ai do shtrohet sipas planeve të Gazpromit.

Situatën rreth çështjes së tubacionit “Altai” eksperti Mihaill Krutihin e shpjegon në një mënyrë tjetër:

- Itinerari i shtrimit nuk ka se si të devijohet, të ndryshojë. Sektorët e saj në Kazakistan dhe Mongoli, nëse itinerari gjithësesi do të korrigjohet, faktikisht i përkasin po të njëjtës rrafshnaltë të epërme. Sakaq, kinezët nuk do bien kurrë dakort që tubacioni të kalojë nëpër vende të treta, madje edhe nëse Rusia do t’u afronte ulje të madhe çmimi për gazin. Atyre u nevojitet një linjë direkte nëpërmjet kufirit Rusi-Kinë.

Në Rusi, gjithashtu, janë të mendimit se itinerari i miratuar është i vetmi që përjashton risqet, të cilat janë të lidhura me tranzitin. Nga ana tjetër nuk ka si anashkalohet edhe epiteti për gazsjellësin “Altai” si “Vrasës i natyrës”. Kësisoj, nuk ka si të shmanget gjetja e ekuilibrit midis domosdoshmërisë së diversifikimit të kanaleve të eksportit të gazit dhe interesave të mbrojtjes së rajonit në fjalë. Për më tepër se vazhdimi i bisedimeve ruso-kineze mbi çmimin e gazit rus demonstron qartë nevojën e këtij projekti.

Konstantin Garibov