Në Moskë e përshëndesin vendimin e Koresë së Veriut për të vendosur moratorium ndaj provave të armëve bërthamore, lëshimit të raketave balistike me rreze të largët veprimi si dhe ndaj pasurimit të uraniumit. Ky i fundit do të kontrollohet nga inspektorët e MAGATE-së.

Për këtë bën fjalë deklarata e MPJ-së së Federatës së Rusisë. Marrëveshjet mbi moratoriumin u arritën javën e kaluar në Pekin, në bisedimet midis Koresë së Veriut dhe SHBA-ve.

Ky ishte kontakti i parë ndërmjet palëve pas ardhjes në pushtet të Kim Jong-Eun. Megjithëse edhe babai i tij, Kim Jong II, kishte shprehur gatishmërinë për të ngrirë programin bërthamor gjatë periudhës që zhvilloheshin bisedimet gjashtëpalëshe për denuklearizimin e Gadishullit Korean. Ai ra dakort për këtë gjatë takimit me Presidentin e Rusisë Dimitri Medvediev në gusht të vitit të kaluar në Burjati (Rusi). Por asokohe, SHBA-të, Japonia dhe Koreja e Jugut, partnerët e Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut në “gjashtëshe”, e kushtëzuan miratimin e tyre për kthimin në tryezën e bisedimeve me një rradhë kushtesh paraprake për Phenianin, saqë ky i fundit nuk mund t’i pranonte. Duke i kushtuar vëmendje këtij fakti, eksperti i Qendrës Ruse të Studimeve Koreane Georgi Tolloraja vëren si më poshtë vijon:

- Marrëveshjet e tanishme në variantin provizor ishin përpunuar që në dhjetor, por vdekja e Kim Jong II e shtyu afatin e realizimit të tyre. SHBA-të kishin dyshime, nëse ia vlente të punohej me regjimin e ri. Tani janë bindur se ia vlen. Në bisedimet gjashtëpalëshe nuk përjashtohet një progres i përcaktuar, nëse kërkesat e SHBA-ve dhe bashkësisë ndërkombëtare ndaj Phenianit do të jenë të arësyeshme.

Tani për tani po shfaqet qartë fleksibilitet nga të dy palët. Koreja e Veriut është e gatshme jo vetëm të kthjejë inspektorët e MAGATE-së në objektin e saj bërthamor në Jonben, të cilin ata e braktisën të detyruar më 2009. Në këmbim të kësaj, Pheniani është dakort të pranojë ndihmë ushqimore nga SHBA-të, e cila sipas prononcimeve të palës amerikane më parë ishte mohuar.

Në Uashington deklaruan, se ripërtëritja e bisedimeve gjashtëpalëshe varet nga veprimet e Phenianit. Ndërkohë, MPJ e Koresë së Veriut tërhoqi vëmendjen ndaj një detaji të rëndësishëm të marrëveshjes me SHBA-të në Pekin. Fjala është për krijimin e atmosferës së besimit dhe me forca të ndërsjella të përmirësohen marrëdhëniet midis dy vendeve. Ja ç’mendon në lidhje me këtë eksperti rus Aleksandër Zhebin:

- Koreja e Veriut, me sa duket, ka arritur të përtërijë dialogun me SHBA-të. Ajo mori garanci politike, se SHBA-të nuk ushqejnë synime armiqësore ndaj saj. Se në ç’masë do realizohen ato, mbetet për t’u parë. Nuk duhet harruar fraza në versionin koreano-verior të marrëveshjes së Pekinit: të gjitha garancitë në fjalë veprojnë për sa kohë zhvillohen bisedimet amerikano-koreano-veriore.

Në Phenian përllogarisin se afrimi me Uashingtonin do të pritet në botë si synim për të normalizuar marrëdhëniet dypalëshe. Gjithashtu, u demonstrohet koreano-veriorëve se lideri i ri Kim Jong-Eun gëzon autoritet jo vetëm brenda vendit të tij.

0Edhe Presidenti i SHBA-ve Barak Obama në prag të zgjedhjeve të nëntorit ka nevojë për suksese diplomatike. Veçanërisht në Azi, kthimin në të cilën ai e ka shpallur si një prej prioriteteve të tij.

Konstantin Garibov