Kryeministri rus Vladimir Putin, kandidati për postin e kreut të shtetit, zhvilloi një takim me pasuesit e tij, përfaqësuesit e Frontit Popullor, të shtabeve rajonalë, me gazetarë dhe analistë politikë. Mbështetësit e Vladimir Putinit shqyrtuan artikujt programatikë të Kryeministrit rus.

Drejtorja e Institutit të Politikave Aplikative Olga Krishtanovskaja vërejti, se në këta artikuj ishte pasqyruar gjithçka: është bërë diagnoza e saktë e shoqërisë, është vënë gishti mbi problemet reale, janë treguar hapat e masave për t’u ndërmarrë, që parashikojnë zhvillimin e sistemit politik dhe ekonomik, por ka munguar një gjë: rrugëdaljet. “Nëse ju do bëheni President, ku do ta çoni Rusinë?” - u interesua ajo.

Vladimir Putin u përpoq të përgjigjet me disa propozime:

- Ne, sigurisht, duhet të forcojmë institucionet demokratike, për më tepër, në atë mënyrë, që këto institucione demokratike ta bëjnë shtetësinë tonë të pacënueshme nga çfarëdo lloj shoku, në mënyrë që kjo shtetësi të jetë e stabilizuar dhe të na garantojë sovranitetin tonë. Kjo mund të arrihet vetëm në rast se ne do të zgjidhim detyrat që qëndrojnë para nesh në fushën ekonomike. Ajo, më kryesorja midis tyre, është që të sigurojmë ritme të larta të rritjes ekonomike. Por për të arritur këtë, duhet të tërheqim investime, para së gjithash, investimet private. Por që të tërheqësh investime, duhet përmirësuar fillimisht klima e biznesit. Gjithë këto sëbashku do të duhet të çojnë në përmirësimin e jetës konkretisht të çdo qytetari rus.

Avokati, Anatolij Kuçerena vendosi ta bëjë më të mprehtë diskutimin. “Kritikët tuaj,- vuri në dukje pasuesi i Vladimir Putinit,- thonë, se ju kishit 12 vjet në dispozicion për t’i mbuluar të gjithë me flori”.

“Unë kam qenë President 8 vjet dhe jo 12”,- e korrigjoi Vladimir Putini avokatin.

- Ky është një mendim i përhapur, se Putini ka zënë vend dhe i komandon të gjithë. Por nuk është kështu në të vërtetë. Dua ta përsëris edhe një herë, se Kreu i Qeverisë ka shumë kompetenca fuqiplota, në një masë të madhe, por ai nuk është President. Unë dhe Dimitri Medvediev i kemi ndarë kompetencat. Më saktë, i ka ndarë Kushtetuta. Secili merret me punën e tij.

Deklaratat e bëra, se ai nuk duhet të kandidojë për President, Vladimir Putin i vlerëson si njërën prej linjave të sulmit të oponentëve të tij. Sikurse, në fakt, edhe shpallja e zgjedhjeve si jo legjitime pa u zhvilluar akoma. “Këto janë instrumente të betejës politike dhe unë i konsideroj ato të papranueshme për shoqërinë demokratike”, - theksoi Vladimir Putin. Ai pranoi, se kishte qenë i përgatitur për këtë fushatë të zhurmshme zgjedhore.

- Thënë hapur, e pata menduar, se do të ishte afërsisht kështu. Por po ju them edhe më shumë, se unë nuk e ndryshova Kushtetutën, nuk doja që “automatikisht” të mbetesha në pushtet. E dija se do kishte një polemikë të tillë. Por për të punuar më tej, duhet të fitosh kredibilitetin në situatën e re. Pa këtë është e pamundur të punosh. Prandaj jam i gëzuar që gjërat po ziejnë tek ne, kjo është gjë e mirë. Vetëm se gjithçka duhet të mbetet brenda kuadrit ligjor, kjo të jetë krejtësisht e qartë për të gjithë.

Svetllana Kallmikova