Kriza në marrëdhëniet mes Bjellorusisë dhe BE-së është shndërruar tashmë në një konflikt mjaft të mprehtë diplomatik. Në listën e zezë të BE-së janë përfshirë më shumë se 200 përfaqësues të lartë të Bjellorusisë me në krye Presidentin Aleksandër Llukashenko.

Të gjithë atyre u është mbyllur dera për hyrje në territorin e Bashkimit Evropian, ndërsa llogaritë e tyre në bankat evropiane ka shumë mundësi që t’i nënshtrohen ngrirjes.

Minsku vendosi të marrë masa adekuate ndaj kësaj, njoftoi Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Bjellorusisë Andrei Savinih:

- Në përgjigje të zgjerimit të sanksioneve nga ana e BE-së, pala bjelloruse do t’u refuzojë hyrjen në vend atyre personave, të cilët kanë kontribuar për futjen e masave kufizuese. Në rast të ushtrimit të presionit të mëtejshëm mbi Republikën e Bjellorusisë, do të vazhdojnë të ndërmerren edhe masa të tjera për mbrojtjen e interesave tona.

Përveç kësaj, Kreut të përfaqësisë së BE-së në Bjellorusi dhe Ambasadorit të Polonisë iu rekomandua të largohen nga kryeqyteti bjellorus për t’i përcjellë udhëheqjeve të veta pozitën e vendosur, të patundur të palës bjelloruse mbi papranueshmërinë, palejueshmërinë e vendosjes së sanksioneve dhe ushtrimit të presionit.

Në Bruksel, pas kësaj deklarate, u thirr një takimi urgjent. Rezultat i tij u bë tërheqja nga Bjellorusia e të gjithë 27 ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian. Bile më tepër se kaq, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Catherine Ashton ka paralajmëruar tashmë se në mars lista e zezë do të plotësohet me emra të tjerë, ndërsa sanksionet ekonomike do të ashpërsohen.

Uashingtoni e mbështeti vendimin e Brukselit. SHBA dhe Evropa nuk i fshehin aspak shpresat e veta për ndryshimin e regjimit në Bjellorusi. Dhe madje i propozojnë fare hapur ndihmë financiare republikës në rast të largimit të Aleksandër Llukashenkos nga posti i presidentit. Kjo histori ka filluar që shumë kohë më parë, thotë eksperti i Institutit të Evropës të Akademisë së Shkencave të Rusisë Vlladisllav Bjellov:

- Konflikti u intensifikua në mënyrë të ndjeshme gjatë fushatës zgjedhore të Presidentit të Bjellorusisë. Që atëhere u bë mëse e qartë se Perëndimi nuk e njeh Llukashenkon si president të ligjshëm të vendit, me fjalë të tjera si lider të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Bile më tepër se kaq, evropianët nuk shprehin kurrfarë ndrojtje gjatë artikulimit të dëshirave të veta. Kreu i MPJ të Polonisë Radoslaw Sikorski e këshilloi Udhëheqësin bjellorus të mos kapet, si i thonë fjalës, “me thonj e me dhëmbë”, pas postit të tij, siç e bënë një gjë të tillë disa udhëheqës autoritarë në Afrikën e Veriut. Aluzioni i bërë me Gaddafin dhe Mubarakun është shkelje e të gjitha kanoneve diplomatike, mendon analistja politike e Institutit Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës (MGIMO) Elena Ponomariova:

- Këto fjalë nuk janë thjesht kërcënim. Kjo është arrogancë politike dhe diplomatike. Faktikisht kjo deklaratë mund të konsiderohet si tentativë për ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti sovran, siç është në këtë rast Bjellorusia. Vetë populli bjellorus duhet të vendosë se kur duhet të ndërrojë Llukashenkon në postin e presidentit të vendit.

0Këto ditë shërbimet për shtyp të presidentëve të Rusisë dhe Bjellorusisë, përkatësisht, Dimitri Medvediev dhe Aleksandër Llukashenko lëshuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën dënohen sanksionet e Perëndimit ndaj Minskut dhe i bëhet thirrje palëve për dialog ndërshtetëror.

Natalia Kovalenko