Popujt e veriut të Rusisë i duan ngricat e forta dhe dëborën. Prandaj kanë vendosur që ditën e fundit të dimrit të festojnë një festë të re - Dita e mbrojtjes së të ftohtit. Këtë vit ajo shënohet për herë të parë. Nismëtarët janë të shqetësuar mbi prognozat e mbrojtjes globale dhe pasojat e saj për rajonet e Arktikut dhe shpresojnë që festa e tyre të shndërrohet në festë ndërkombëtare.

I ftohti në rajonet e Arktikut është një kusht i domosdoshëm për stabilitetin e gjithë sistemit të veprimtarisë jetësore. Pa të, zor se mund të ruhen arinjtë e bardhë, fokat, balenat e bardha dhe të tjerë gjitarë të detrave polarë. Pa të, është e pamundur ruajtja e jetës tradicionale të popujve autoktonë të veriut.

Ideja e zhvillimit të kësaj feste lindi në fshatin e popullsisë nenece, jo larg qytetit Narjan-Mar, rrëfen Drejtuesi i “Qendrës së nismave të Arktikut”, Matvei Çuprov:

- Ne u mblodhëm dhe vendosëm se na nevojitet një festë e përbashkët, e cila do të lejojë bashkimin e gjithë banorëve të Arktikut dhe mbrojtjen e interesave tona. Interesat e botës tonë, ku hyjnë edhe bota shtazore dhe ai mjedis në të cilin jetojmë. U vendos se ka ardhur koha t’i jepet fund luftës me ngrohjen globale. Duhet kaluar në mbrojtjen e të ftohtit, që do të thotë, se duhet ndryshuar qasja, përfshirë edhe parimet e Protokollit të Kiotos, të cilat sot, për fat të keq, nuk funksionojnë në botën mbarë.

Sipas Matvei Çurovit, pikërisht me këto metoda të thjeshta popullore, mund të tërheqësh vëmendjen e banorëve të planetit ndaj kësaj çudie me emrin Arktik. Në Ditën e mbrojtjes së të ftohtit në qytetet veriore të Rusisë po zhvillohen forume shkencore, në të cilët shqyrtohen problemet e ndryshimit të klimës, por më e rëndësishmja është festimi popullor me zbavitjet tradicionale dimërore.

Festime popullore po zhvillohen sot në Narjan-Mar dhe Arhangelsk. Ndërmjet qyteteve është organizuar lidhja komunikative me “ura televizive”. Në sheshin qendror të Narjan-Mar është vendosur një “çum” - banesë tradicionale e popujve të veriut. Mund të shetitësh me saja të tërhequr nga drerët, të vlerësosh krijimtarinë popullore dhe të shijosh kuzhinën kombëtare vendase. Në Arhangelsk studentët u organizuan spontanisht në grumbullime. Në Salehard, kryeqyteti i qarkut autonom Jamalo-Neneck, po zhvillohet festa për fëmijë e Ditës së mbrojtjes së të ftohtit. Ajo është organizuar nga bashkia, sëbashku me Federatën e Organizatave të Fëmijëve të Rusisë dhe disa fondacione ndërkombëtare.

Mihaill Aristov