Shkarko audiofailin
Google, Apple dhe Facebook po përgatisin një invazion në territorin e kontrolluar nga qeveritë kombëtare dhe “balenat” e ekonomisë tradicionale: bankat dhe korporatat e mëdha. Ky është hapi i parë në përmbushjen e testamentit për secilën nga këto kompani, që është zotërimi i botës.

Çfarë mendon në lidhje me këtë Andrei Masalloviç, Shef i degës së zbulimit të konkurencës në kompaninë “Dialog-Nauka” ("Диалог-Наука")?

- Plane për zotërimin e botës ka çdo kompani. Të tilla ka edhe Google, edhe Apple, edhe Facebook. Ato kanë mbërritur në atë pikë, ku demokracia botërore nuk mund të ndikojë dot mbi to aktivisht dhe as t’i kufizojë. Nëse ato bëjnë diçka që është e parregullt, në këtë rast, legjislacioni i vendeve marrë ndarazi, është i gjymtë për t’i ndalur. Barak Obama deklaroi se ka ndërmend të paraqesë një projektligj mbi mundësinë e kontrollit mbi Facebook dhe Google, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve amerikanë për privatësinë e tyre. Por dyshoj, se në plan botëror kjo do të mund të ndryshojë ndonjë gjë. Këta gjigantë, siç janë zhvilluar gjer më sot, kështu do vijojnë edhe më tej.  

Liderët e kompanive IT, janë në rradhë të parë tregtarë të shpresës. Ata zotërojnë miliarda, sepse për ta dhe shpikjet e tyre investohet në perspektivë, rezultat i së cilës formësohet e ashtuquajtura “ekonomi e flluckave”. Kjo është në rregull deri në krizën më të afërt, por për paskëtaj, kompanitë IT, që tani po synojnë të dalin në një nivel tjetër dhe të përfshihen në sektorët e ekonomisë reale. Si për shembull, në sektorin e sigurisë së ndërlidhjes dhe telekomunikacioneve, në sektorin e kontentit të lajmeve, në mass media, në arsim, zbavitje, - shton Andrei Masalloviç.

“Rrjetet sociale duan të marrin mbi vete rolin e sundimtarëve botërorë”, - shpreh bindjen e vet Drejtuesi i agjencisë ruse të zbulimit “R-Tehno”, Roman Romaçov. “Pothuaj çdo banor i planetit tonë dhe tanimë jemi më shumë se 7 miliardë, mund të futet në rrjet dhe të lërë gjurmë me mendimet e veta nëpër bllogje. Teknologjitë e reja janë shndërruar në pasqyra të llojit të vet për mendimet tona. Por për të sunduar duhet të udhëheqësh mendjet, të jesh i aftë t’i kontrollosh ato, t’i korrektosh dhe t’i drejtosh në kahun e nevojshëm. Ju bie ndërmend libri i famshëm i Oruellit, “1984”? Pikërisht, drejt këtij skenari, ku “Vëllai i madh vëzhgon mbi ty”, duan ta tërheqin njerëzimin, - konstaton ky zbulues privat.

Nëse rrjetet sociale do arrijnë të bëjnë realitet planet e tyre, nuk përjashtohet aspak, që Interneti të bëhet një shtet më vete. Kjo është një prognozë futuriste, që bën Andrei Masalloviç për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë”. “Nëse gjithçka do rrjedhë sipas këtij skenari, atëhere njerëzimit si mbetet tjetër, veç të gëzohet që gjigantët e IT-ve, hë për hë, nuk po orvaten ta bëjnë Internetin anëtar të mëvetësishëm të OKB-së”, - shprehet me humor Andrei Masalloviç.

Shakaja-shaka, por gjendja është mjaft serioze. “Pranvera arabe” tregoi, se liderët e paaftë të nënshtrojnë rrjetet në Internet, u përmbysën. Kësisoj, qeveritë kombëtare duhet të reagojnë në mënyrë operative ndaj rreziqeve që kanosen në mediat sociale. Dhe këtu fjala nuk është dhe aq për kundërvënien ndaj “murtajës portokalli”, sesa për rrjetet sociale që synojnë sundimin botëror.

Marina Vollkova