Në Rusi po fillon reforma e sistemit politik: kthehen zgjedhjet për guvernatorët, partitë politike do shtohen dhjetë herë më shumë dhe ato mund të regjistrohen pa qenë nevoja e mbledhjes nga ato të dhjetëra mijëra firmave. Paketa e projektligjeve përkatëse u miratua nga parlamentarët rusë në parim.

Atë e mbështetën të gjitha partitë parlamentare. Por në shqyrtimin e saj nen për nen deputetët do të përgatisin korrektime. Për herë të parë në shqyrtimin e dokumenteve morën pjesë partitë jashtëparlamentare, si dhe përfaqësuesit e opozitës jo institucionale.

Një prej projektligjeve kyç thjeshton në mënyrë serioze regjistrimin e partive politike. Tani, për të kryer regjistrimin do të mjaftojnë 500 persona dhe jo 40 mijë vetë, siç ishte më parë. Kësisoj veprimtarinë e tyre politike, mund ta legalizojnë të gjithë ata, që deri tani ishte e pranueshme të cilësoheshin, si opozitarë jo institucionalë.

Megjithatë, pikërisht ky propozim ka ngjallur debatet më të shumta. Dhe nuk pajtohen me të po përfaqësuesit e opozitës. Partia në pushtet “Rusia e Bashkuar” e mbështeti projektligjin. Ndërsa opozita është e mendimit se ligji është tepër liberal, duke parandjerë, me sa duket, shfaqjen e rivalëve në fushëbetejën politike.

Një projektligj tjetër bën fjalë për zgjedhjen e Presidentit. Deri tani, kandidaturat e vetëshpallura janë të detyruar të mbledhin në mbështetje të vetes 2 milionë firma. Kjo shifër do ulet deri në 300 mijë.

Veç kësaj, planifikohet të kthehen zgjedhjet e drejtpërdrejta për guvernatorët. Partitë do të mund të lëvizin kandidaturat e tyre pas konsultimeve me Presidentin. Ky kusht ngjalli pakënaqësi në rradhët e opozitës, tha Lideri i partisë “Rusia e Drejtë”, Sergei Mironov:

- Në mënyrë kategorike jemi kundër të ashtuquajturit, filtri i Presidentit. Ne gjykojmë, se kjo është absolutisht e papranueshme dhe propozojmë që kjo normë të përjashtohet.

Përfaqësuesit e tre partive jashtë parlamentare, të “Jabllokos” ("Yabloko"), “Patriotëve të Rusisë” dhe të “Kauzës së Drejtë”, i mbështetën iniciativat presidenciale. Por edhe ata vetë kanë propozimet e tyre, përfshirë atë, që partitë të lejohen të bashkohen para zgjedhjeve në aleanca zgjedhore.

Përfaqësuesit e opozitës jashtë institucionale mbetën të kënaqur me diskutimet në Dumën Shtetërore, ndonëse u ankuan, se nuk ua dhanë fjalën. “Ne ishim vetëm vëzhgues. Por edhe kjo është mirë, që pamë e dëgjuam si qëndrimet e partisë në pushtet, ashtu edhe të opozitës parlamentare. Vështrimet tona diku përputhen, diku tjetër ndahen”, u shpreh Lideri i lëvizjes “Fronti i majtë”, Sergei Udalcov. Propozimet e tyre opozitarët kanë ndërmend t’ia drejtojnë Parlamentit dhe Presidentit të vendit.

Llada Korotun