Shërbimet speciale të Rusisë dhe Ukrainës kanë neutralizuar një atentat ndaj Vladimir Putinit dhe një seri aktesh të tjera në territorin e Rusisë. Terroristët, që ndodheshin në kërkim ndërkombëtar, u kapën në qytetin Odesa të Ukrainës pothuaj një muaj më parë.

Nga dëshmitë e tyre u bë e ditur, se ata duhej të kryenin menjëherë pas zgjedhjeve të 4 marsit, atentatin në fjalë dhe një seri shpërthimesh.

Këtë e bëri të ditur mëngjesin e ditës së hënë stacioni Kanali i Parë televiziv rus (“Pervij kanall”). Shërbimet speciale ukrainase dhe zyra e shtypit të Kryeministrit të Rusisë pohuan vërtetësinë e këtyre dëshmive. Sipas informacioneve të fundit, dy banditë në kërkim ndërkombëtar, Ilia Pjanzin dhe Rusllan Madajev mbërritën në Odesa nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Odesa duhej  të shërbente për terroristët si një pikë kalimtare. Sakaq, gjatë përgatitjes së bombave ndodhi shpërthimi, ku u vra njëri prej banditëve. Një tjetër u largua, kurse Pjanzini me plagë e djegie u mbajt në reanimacion, nën rojen e shërbimeve sekrete. Pikërisht, dëshmitë e Pjanzinit ndihmuan për të arrestuar të arratisurin Adam Osmajev, lindur në Çeçeni. Ai u kap më 4 shkurt, por deri kohët e fundit Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SHSU), nuk e bëri të ditur këtë arrest, për shkak të informacionit të marrë nga Osmajevi. Në laptopin e këtij të fundit gjendej i gjithë plani i hollësishëm i operacionit, njoftuan në SHSU:

- Nëpër faile u gjetën video të kalimit të kortezheve, përfshirë edhe atë të Putinit. Që të bëhet më e kuptueshme, fjala është për vendndodhjen e bodigardëve në makinë, sa makina e shoqërojnë, gjithçka ishte xhiruar nga kënde të ndryshme vështrimi, nëpër rrugë të ndryshme.

Osmajev ka rrëfyer se shumica e operacioneve duhej të përcilleshin në distancë. Megjithatë nuk përjashtohej edhe shpërthimi me kamikaze. Sipas tij, i gjithë operacioni gjendej në fazën përfundimtare të përgatitjes.

Osmajev tani po bashkëpunon aktivisht me organet hetimore. Ishin dëshmitë e tij, ato që bënë të ditur, se një pjesë e lëndës shpërthyese ishte dërguar me kohë në Moskë. Një prej atentateve duhej të ndodhte në autostradës Kutuzovskij "Kutuzov Avenue), gjatë itinerarit në Moskë, ku kalon kortezhi presidencial dhe ai i Kryeministrit.

Tani shërbimet speciale të Rusisë dhe Ukrainës po vijojnë me hetimin e kësaj çështjeje. Informacion i plotë, sigurisht, që nuk jepet. Por duke gjykuar nga të dhënat e deritanishme, SHSU dhe FSB kanë punuar në mënyrë mjaft operative, i deklaroi “Zërit të Rusisë” veterani i njësisë speciale “Alfa”, Sergei Gonçarov:

- Në këtë moment shërbimet speciale të Ukrainës dhe të Rusisë kanë punuar me nivel të lartë. Arrestimet janë ekzekutuar dhe kemi dëshmi pohuese. Ato japin bazë të thuhet, se këta njerëz kanë përgatitur atentat.

Gjatë gjithë mandatit presidencial të Putinit, mediat kanë bërë të ditur, për më shumë se dhjetë përpjekje për atentat ndaj tij. Shumë prej këtyre lajmeve dolën të ishin thashetheme.

Maria Vesnovskaja