Kompania japoneze “Abajasi”, e specializuar për ndërtimin e rrokaqiejve, planifikon që aty nga viti 2050 të ndërtojë një ashensor drejt kozmosit. Ai duhet të zëvendësojë anijet transportuese kozmike, të garantojë mbartjen pa ndërprerje të satelitëve, sistemeve të navigimit, aparateve kozmikë dhe ngarkesave të tjera në orbitën përreth Tokës.

Parimi i punës së ashensorit kozmik është mjaft i thjeshtë. Një kavo super-rezistent do të shtrihet vertikalisht nga Toka drejt orbitës gjeostacionare, aty ku falë forcave centrifugale mbahet në gjëndje të tendosur. Nëpërmjet kësaj kavoje do të lëvizë një platformë transportuese me shpejtësi rreth 200 km/orë, që do të thotë, se distancën deri në orbitë do ta përshkojë për një javë. Supozohet, se kavoja mund të ketë çdo lloj gjatësie, ta zemë deri në Hënë, për 360 mijë km.

Për herë të parë, idenë e ashensorit kozmik e hodhi që më 1894 shkencëtari rus dhe babai i kozmonautikës, Konsanttin Ciollkovskij. Ai e mori frymëzimin për këtë nga Kulla Eifel në Paris. Në librin “Fanitje mbi Tokën dhe qiellin” ai propozoi, që nëse do të ndërtohej një kullë e tillë për disa mijëra kilometra më në lartësi, atëherë, me ndihmën e saj mund të ngjitesh në kozmos, pa patur nevojën e lëvizjes reaktive.

Më 1960, shkencëtari i ri Jurij Arcutanov publikoi një artikull me titullin “Në kozmos me teleferik”, në të cilin paraqiti idenë e tij të rrugës me teleferik, që lidhte Tokën me kozmosin. Thonë, se përkthimi i artikullit në fjalë u përfshi në njërin prej memorandumeve zyrtarë të NASA-s, në mesin e viteve ’70, i cili u bë i njohur për shkrimtarin amerikan fantastiko-shkencor Artur Klark. Në romanin e tij “Shatrëvanët e parajsës”, ai rrëfen pikërisht për ndërtimin e një ashensori të tillë.

Artikuj shkencorë me këtë temë dolën edhe në Europë dhe SHBA. Redaktori i revistës “Novosti kosmonavtiki”, Igor Llisov, thotë, se projekti i ashensorit kozmik asnjëherë nuk është menduar si fantastik në thelb:

- Kjo, në parim, mund të jetë e kuptueshme, se përse ndodh kështu. Nëse mbi ju do qëndrojë i varur një satelit i stacionuar në orbitë, që i referohet një pike të përcaktuar në Tokë, atëherë, në parim, mundet që të zgjatet një kavo nga sateliti drejt Tokës. Atë sigurisht që do ta pengojë dhe shqetësojë lëvizja, por nëse nga sipër kundrapesha do të varet akoma dhe më lart, atëhere një sistem i tillë mund të jetë pak a shumë i qëndrueshëm. Kërkesat ndaj rezistencës së materialit janë të shumta dhe deri para do kohësh gjithë këto ishin thellësisht arësyetime teorike, por tani po dalin materiale, të cilat janë në gjëndje të mbajnë ngarkesa të tilla. Pra, nga pikëpamja e fizikës dhe teknikës këtu nuk ka asgjë të pamundur.

Falë projektit të shkencëtarëve japonezë, kavoja për ashensorin kozmik do përgatitet prej nanotubave të karbonit. Ky material është 20 herë më rezistent se çeliku. Ai është i aftë të mbajë konteinerë me ngarkesë dhe të mos këputet nën rëndesën e peshës së vet. Veç kësaj, një kavo e tillë nanokarboni do të jetë mjaft e lehtë dhe atë mund ta ngresh deri në kozmos pa problem me anë të raketave ekzistuese. Është e vërtetë, që një nanotub i tillë nuk e kalon, tani për tani, gjatësinë një metër. Ndërkohë, që për ashensorin kozmik nevojitet një kavo me gjatësi minimum 80 mijë km.

Materiali rezistent i kavos nuk është problemi i vetëm që duhet të zgjidhin ndërtuesit e këtij ashensori. Mekanizmi ngritës ka nevojë për energji: është e domosdoshme që të mos ushqehet me anë të përcjellësve, por me lazer të fuqishëm, për shembull. Mes vështirësive të tjera të projektit të ashensorit kozmik renditen: rrezatimi, rrufetë, erërat, meteoritët, mbetjet kozmike.

Por, nëse shkencëtarët do të arrijnë t’i zgjidhin të gjitha këto probleme, atëherë, mund t’i hyhet punës për ndërtimin e ngritësit kozmik. Për më tepër, ndërtuesit japonezë janë të bindur, se ashensori kozmik do të lejojë shkurtimin e dukshëm të kostos së dërgesave të ngarkesës për në orbitën e Tokës. Tani, për çdo kilogram ngarkesë, të dërguar me raketa në orbitë, klientët paguajnë 10-15 mijë dollarë, kurse ngritja me ashensor do kushtojë gjithsej 100 dollarë.

“Jo çdo ide, e cila në pamje të parë duket me leverdi dhe efektive, del që të jetë e tillë edhe në praktikë. Shembull klasik është Speis Shatëll (Space Shuttle) - thotë Jurij Karash, anëtar  korrespondent i Akademisë Ruse të Kozmonautikës, që mban emrin Ciollkovskij.

- Kur u krijua kjo anije kozmike, supozohej, se do të fluturonte, nëse jo përditë, më së paku çdo javë. Dhe vërtet, sa më shumë e sa më shpesh të bëni diçka, aq më i ulët do jetë çmimi i një here veprimi. Por siç doli, klientët ishin të pamjaftueshëm, që me porositë e tyre të mund të garantonin fluturime të shpeshta me këtë anije kozmike. Si përfundim, çdo start kushtonte 500 milionë dollarë, shumë më shtrenjtë se fluturimi për në kozmos me anë të raketave klasike të përdorimit të njëhershëm. Prandaj, diçka e ngjashme ka të ngjarë të përsëritet edhe me ashensorin kozmik. Është një ide shumë e bukur në pamje të parë, por duhen bërë shumë mirë të gjitha llogaritë: sa shkon ndërtimi, sa do kushtojë shfrytëzimi dhe mirëmbajtja teknike dhe së fundi, më e rëndësishmja, a do të ketë klientë të mjaftueshëm në gjendje për të paguar përdorimin e një ashensori të tillë, në mënyrë që së paku ai të lajë shpenzimet e veta.

Tekefundit, shkencëtarët japonezë tani nuk shqetësohen shumë për rentabilitetin e projektit. Te gjithë janë të bindur, se ashensori kozmik do të jetë një hap i rëndësishëm në zotërimin e hapësirës kozmike. Se të ngrishesh deri në kozmos do jetë po kaq e thjeshtë, sa edhe në katin më të lartë të një rrokaqielli.

Svetllana Kallmikova