Institucioni i lartë arsimor për ekonomi, më i vjetri në Rusi, i famshmi Universitet i Ekonomisë i Rusisë, që mban emrin e Plehanovit, feston jubileun e 105-vjetorit. Gjatë kësaj kohe, brenda mureve të tij, janë përgatitur më shumë se 150 mijë specialistë të kualifikimit të lartë.

Historia e këtij universiteti fillon më 1907, kur tregtarët-mecenatë të njohur moskovitë organizuan Institutin e Komercializmit. Në përbërje të tij kishte degë të ekonomisë dhe komercialo-teknike, studimet e të cilave zgjasnin për katër vjet. Si studentë mund të regjistroheshin jo vetëm fisnikët, nëpunësit dhe tregtarët, por edhe përfaqësues të shtresave të ulëta të borgjezisë, madje dhe fshatarë. 20% e studentëve ishin vajza.

Duke i qendruar besnik devizës së vet, “I shërbej Rusisë”, Universiteti rus i Ekonomisë, që mban emrin Plehanov, përgatit specialistë të klasit të lartë, të kërkuar në fushën e manaxhimit, informatikës dhe sipërmarrjes. Në 17 fakultetet e tij studiojnë çdo vit më shumë se 13 mijë studentë dhe mësohen më shumë se 30 fusha të ndryshme të specializuara. Fakulteti më i ri, ai i manaxhimit të industrisë sportive, ku si udhëheqës i katedrës punon hokeisti me famë, Vjaçesllav Fetisov, u hap dy vjet më parë.

Sot, ky universitet njihet si lider i studimit të ekonomisë në vend. Ai merr pjesë në programe të shumta ndërkombëtare të bashkëpunimit ndëruniversitar, si ai me European University Association dhe European Foundation for Management Development. Me programin në gjuhën angleze MBA, i cili zhvillohet nga pedagogë të universiteteve nga vende të ndryshme, mësojnë rreth 500 studentë të universitetit. Specialistët e dalë nga dyert e tij, punojnë në kompani të fuqishme dhe dikastere shtetërore jo vetëm në Rusi, por edhe në shumë shtete të tjera.

Standartet e larta arsimore në Universitetin Plehanov, i pohojnë edhe partnerët ndërkombëtarë të tij, 70 universitete të botës, i tha “Zërit të Rusisë” rektori i tij Viktor Grishin:

- Ne kontaktojmë me universitetet e Suedisë, Francës, Anglisë. Kemi një numër të madh vendesh, jo vetëm për studentët e vendeve perëndimore, por edhe për vendet e ish-BS-së, që hyjnë në Bashkësinë e Shteteve të Pavarura. Universiteti ynë ka qenë gjithnjë internacional. Sa për të marrë ndonjë shembull, ish-ambasadori i Afrikës së Jugut, që u zëvendësua dy vjet më parë, është diplomanti ynë. Disa prej udhëheqësve të lartë të Vjetnamit, janë po ashtu diplomantët tanë. Një vit më parë, njëri prej tyre erdhi të bisedojë për të arsimuar në universitetin tonë disa drejtues lokalitetesh. Dimrin e kaluar, tek ne studiuan tre zv.kryetarë të bashkive vjetnameze, përfshirë atë të Sajgonit. Ne ruajmë lidhjet ndërkombëtare të vendosura që në kohën e Bashkimit Sovjetik si dhe zhvillojmë të reja.

Maria Domnickaja