Veprimi ushtarak kundër Iranit do të ketë pasoja mjaft të rënda për ekonominë botërore, paralajmërojnë ekspertët. Ndërkohë në Teheran planifikojnë të krijojnë trupat e mbrojtjes kibernetike, po përforcojnë objektet bërthamore dhe nuk përjashtojnë bile edhe dhënien e goditjes parandaluese mbi armikun. SHBA, Kina dhe Rusia dalin kategorikisht kundër zgjidhjes së problemit me përdorimin e forcës ushtarake nga ana e Izraelit.

Deri në 300 $ mund të shkojë çmimi për një fuçi nafte në rast të dhënies së goditjeve mbi objektet bërthamore të Iranit. Kështu mendon eksperti i Departamentit Amerikan të Shtetit për çështjet e sigurisë kombëtare Joseph Chirichione. Ai beson se operacioni ushtarak jo vetëm që nuk do t’i shërbejë zgjidhjes së situatës së krizës rreth Iranit, por dhe do të bëhet pretekst për fillimin e luftës në shkallë të gjerë në rajon dhe nxitje për krijimin e bombës atomike nga ky vend. Ndërkohë, Uashingtoni po përpiqet të bindë Izraelin për kotësinë, paefektshmërinë e fillimit të operacionit ushtarak kundër Iranit dhe për vazhdimin e zgjidhjes së çështjes bërthamore iraniane me mjete diplomatike. Por udhëheqja izraelite nuk përjashton tani për tani variantin e përdorimit të skenarit ushtarak.

Kina mendon se dhënia e goditjeve nga ana e Izraelit mbi rajonin do të çojë në tronditje e trazira masive në rajon. Për këtë deklaroi përfaqësuesi zyrtar i MPJ të Republikës Popullore të Kinës Hong Lei. Moska, sipas fjalëve të Përfaqësuesit të Përhershëm të Rusisë në OKB Vitali Çurkin, po bën gjithçka të mundur me qëllim që të shmanget varianti me përdorimin e forcës ushtarake.

Ndërkohë tregu botëror tashmë për më shumë se një muaj ndodhet në pritje të ethshme të fillimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit, vuri në dukje eksperti i Fondit të Sigurimit Kombëtar të Energjisë Aleksandër Paseçnik:

- Izraeli po i hedh gjithnjë e më aktivisht benzinë zjarrit, duke u përpjekur të bindë me të gjitha mënyrat aleatët e vet - SHBA dhe Britaninë e Madhe - për domosdoshmërinë e hapjes së një fronti ushtarak kundër Iranit, i cili mund të krijojë gjoja shumë shpejt armën bërthamore. Bursat botërore të lëndëve të para janë pushtuar nga nervozizmi. Të gjitha këto do të ndikojnë në mënyrë të pashmangshme në rritjen e çmimeve. I gjithë problemi konsiston në faktin - se në çfarë çmimi dhe nëse do të ndërmerret vërtetë operacioni ushtarak kundër Iranit. Sepse me të, po ashtu si dhe me Libinë, nuk do të mund të lahen dot hesapet aq kollaj. Duke marrë parasysh edhe faktin se prania ushtarake amerikane në Gjirin Persik po vjen duke u rritur vazhdimisht, ka shumë mundësi që të jetë duke u përgatitur terreni për fillimin e luftës. Por ky është një skenar i mbarsur me qorrsokak të plotë. Nëse çmimet e naftës do të fillojnë të rriten në mënyrë drastike, atëhere ekonomitë e vendeve më të rrezikuara do të “shemben”.

0Mund të bllokonte përshkallëzimin e krizës bashkëpunimi i Teheranit me delegacionin e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (ANEA), i cili mbërriti një ditë më parë në Iran. Por, duke gjykuar nga përvoja e komunikimit të autoriteteve iraniane me këtë organizatë, ai paraqitet si shumë iluzor.

Ilia Harllamov