Agjencia ITAR-TASS njofton se “Sotheby-s” ka nxjerrë në ankand variantin e vetëm, që mbetet në pronësi private, të tabllosë së famshme të piktorit ekspresionist norvegjez “Klithma” (“Scream”) Edvard Munch. Piktura do të ekspozohet më 2 maj në Nju Jork, çmimi i vlerësuar i saj është 80 milionë $.

Tablloja “Klithma” (“Scream”) Edvard Munch është një nga veprat më të famshme të artit të periudhës së modernizmit. Sipas mendimit të kritikëve, piktura shpreh ndjenjën e frikës dhe ankthit, që ndjekin, persekutojnë njeriun e qytetërimit bashkëkohor.

Nga katër versionet e tabllosë “Klithma” (“Scream”), të cilat u krijuan nga Edvard Munch, tre ndodhen në muzetë e Norvegjisë dhe vetëm një në koleksion privat. Pronar i saj është milioneri norvegjez Petter Olsen, i cili dhe po e nxjerr atë për shitje në ankand. Ai e trashëgoi këtë tabllo nga babai i tij, një ish pronar i pasur anijesh Tomas Olsen, i cili ka qenë mik dhe fqinj i Edvard Munch.

Sipas fjalëve të kritikëve tablloja “Klithma” (“Scream”), që ndodhet në pronësi të Petter Olsen, është realizuar me pastel. Ajo dallohet prej tre variateve të tjera nga paleta veçanërisht e spikatur, e larmishme e ngjyrave.

0Pronari aktual i pikturës ka ndërmend t’i përdorë paratë e marra nga shitja e pikturës për të ndërtuar një muze, një qendër arti dhe një hotel në çifligun e tij rural në Norvegji.