Epoka e re e akullnajave në vend të ngrohjes globale: kjo është prognoza e shkencëtarit të observatorit rus të Pulkovos, Habibull Abdusamatov. Ai shpreh siguri, se Tokën në të ardhmen e afërt nuk e pret aspak zhegu, por i ftohti ekstrem.

Lumenjtë Tamiz, Sena dhe Ren të ngrirë; hapësirat ruse mbuluar me shtresa metroshe dëbore. Abdusamatov është i bindur, se njerëzimi duhet të përgatitet, pikërisht, për këtë. Sipas mendimit të këtij shkencëtari, në mesin e shekullit të XXI-të, situata do të na sjellë ndërmend periudhën e viteve 1645-1715. Asokohe, nga të ftohtit, uria dhe migracioni popullsia e vendeve të veriut ra në mënyrë të ndjeshme.

Prognoza e Abdusamatovit bazohet mbi vëzhgimet e bëra mbi aktivizimin e Diellit. Shkencëtarët vërejnë cikle 200-vjeçare të jetës dhe më të shkurtëra 11-vjeçare të ndriçuesit të Tokës tonë. Sipas skemës së Abdusamatovit, tani kemi uljen e aktivitetit të Diellit, në kuadër të periudhës dyqind vjeçare dhe për pasojë Toka merr më pak energji, ndërkohë që i jep kozmosit më shumë. Hë për hë, atmosfera jonë mbulohet me ngrohtësinë që kanë akumuluar oqeanet. Por duke filluar që nga viti 2014, njerëzimi do të ndjejë uljen e temperaturave, shpreh bindjen shkencëtari, ndërsa piku i të ftohtit do mbërrijë aty nga viti 2055, duke relativizuar me “plus-minus 11 vjet”. Si i bëhet, atëherë, me teorinë e ngrohjes globale? Abdusamatov, mendon se konkluzionet e mbështetësve të saj nuk janë të bazuara shkencërisht.

Nga ana tjetër, tani për tani, vetë supozimet e doktorit të shkencave të fizikës dhe matematikës nuk gjejnë mbështetjen e kolegëve të tij. Zvdrejtori i observatorit astronomik të Pulkovos, Jurij Nagovicin, i tha “Zërit të Rusisë”, se ndaj kësaj teorie duhet treguar kujdes:

- Kemi të bëjmë me një nga detyrat më të vështira të shkencës. Autori i teorisë është një njeri, që deri dje nuk është marrë me klimën. Theksoj, që teoria e Abdusamatovit, në asnjë mënyrë nuk është pikëpamja zyrtare e observatorit të Pulkovos.

Parashikimi i ndryshimeve klimaterike është detyrë e vështirë. Jo gjithnjë këto prognoza janë të justifikuara, për më tepër, kur në bazë të tyre qëndron një fenomen akoma dhe më pak i studiuar, siç është aktiviteti i Diellit, vë në dukje klimatologu i Institutit të Gjeografisë, Jurij Shmakin:

- Në të vërtetë askush nuk e di përgjigjen. Tani për tani, ne nuk po vërejmë kurrëfarë treguesish për ftohjen, përkundrazi po ndodh ngrohja me mjaft tendencë. Ndërsa sjelljen e Diellit ne nuk mund ta prognozojmë. Ja një fakt interesant: në rrjedhë të shumë shekujve ka qenë i njohur cikli 11-vjeçar i aktivitetit të Diellit. Por ja, më 2007, Dielli kishte minimumin e aktivitetit te vet dhe pas kësaj, ky aktivitet do të duhej të fillonte rritjen në ciklin e ri 11-vjeçar, gjë që nuk ndodhi. Përse? Askush nuk e di.

Përndryshe, Abdusamatovi ka se çfarë t’u kundërpërgjigjet kolegëve: gjithë teoritë gjeniale në krye të herës janë injoruar nga komuniteti shkencor. Shkencëtari pohon, se ideja e tij po gjen gjithnjë e më shumë ithtarë në botë.

Igor Sileckij