Kandidati për President i Rusisë, Vladimir Putin, publikoi një artikull mbi problemet e sigurisë kombëtare dhe në mënyrë të hollësishme hodhi dritë mbi perspektivat e paisjes së Forcave të Armatosura me teknikë të re. Mbi bazën e shifrave të sjella nga Putini mund të prognozohet tabloja në Forcat e Armatosura të vendit gjatë dhjetëvjeçarit në vijim. Para së gjithash, tabloja në forcat bërthamore strategjike.

“Në rrjedhë të këtij dhjetëvjeçari forcat e armatosura do pajisen me më shumë se 400 raketa balistike ndërkontinentale  bashkëkohore të bazimit në tokë e në det, tetë kryqëzorë submarinë të destinacionit strategjik me raketa...”, shkruan Vladimir Putin.

Marrë në vetvete, shifra e 400 raketave për dhjetë vjet është plotësisht e realizueshme. Në vitin 2011 Forcat e Armatosura të Rusisë u pajisën me afro 30 raketa balistike ndërkontinentale: ato të bazimit në tokë “Jars” dhe “Topol-M” dhe ato të bazimit detar “Bullava” dhe “Sinjeva”. Është, gjithashtu, plotësisht e mundshme të rritet me një të tretën prodhimi i raketave duke gërshetuar marrjen e masave financiare dhe administrative. Problem përbën konfigurimi i forcave strategjike bërthamore të Rusisë në vitin 2020. Ky konfigurim do të ketë një dallim të qartë nga ky i sotmi.

Në përbërje të flotës duhet të futen tetë nëndetëse strategjike të projektit 955. Tre kryqëzorët e parë “Jurij Dollgorukij”, “Aleksandër Njevskij” dhe “Vladimir Monomah” mbajnë nga 16 raketa balistike ndërkontinentale “Bullava”, ndërsa pesë nëndetëset e tjera, që do të ndërtohen sipas projektit 955U, do të mbajnë nga 20 raketa të tilla. Marrë në tërësi për nëndetëset e reja raketëmbajtëse do të prodhohen 148 raketa. Në këtë mënyrë, duke llogaritur raketat e domosdoshme për qëllime mësimore dhe prova lëshimi, programi prodhues i tyre numëron afro 160-170 raketa “Bullava”.

Në përbërje të flotës do të mbeten edhe gjashtë nëndetëse të projektit 667BDRM. Pesë prej tyre janë ripajisur tashmë me raketat e modernizuara R-29RMU2 “Sinjeva”. Për pajisjen e nëndetëses së gjashtë kërkohet prodhimi i 16 raketave në fjalë. Duke llogaritur lëshimet mësimore dhe furnizimet me modifikimet e reja të “Sinjeva”, të raketës “Lajner”, shumatorja e tipit të modernizuar, R-29RMU, për furnizim gjatë këtij dhjetëvjeçari do të jetë afro 40 njësi.

Përmbledhtazi, pjesa përbërëse e forcave bërthamore të bazimit detar do përbëjë 200-210 raketa, ose pothuaj gjysma e shumatores së potencialit strategjik bërthamor të Federatës Ruse. Kjo gjë përbën një ndryshim rrënjësor të strategjisë bërthamore të Rusisë: në vitet ’50 pjesa më e madhe e municionit bërthamor i përkiste raketave të bazimit tokësor.

Nisur nga sa më sipër, Forcat Raketore të Destinacionit Strategjik (FRDS) do të pajisen me 190-200 raketa. Praktikisht është garantuar, që gjithë këto raketa do t’i përkasin tipit RC-24 “Jars”. Prodhimi i raketave RS-12M2 “Topol-M” u ndërpre më 2011, pikërisht në favor të “Jars-it”, por deri në prodhimin seri të raketave të sotme të brezit të ri do kalojë jo pak kohë.

190-200  raketa “Jars” janë mëse të mjaftueshme për të zëvendësuar në përbërje të FRDS-së, 170 raketa RS-12M “Topol”, prodhim i viteve ’80-’90, si dhe për të garantuar numrin e nevojshëm të tyre për qëllime stërvitore. Veç kësaj, deri më 2020 në përbërje të FRDS-së do “mbahen gjallë”, afro 20 raketa R-36M2 të serisë së fundit. Ato do t’i zëvendësojnë në vitet 2020-2025 me raketa të tipeve të reja. Në gatishmëri do mbeten edhe 70 raketa “Topol-M”, prodhim i viteve 1997-2011, një pjesë e të cilave do të konsumohet për lëshime, në kuadër të punës mbi kohëzgjatjen e resursit të dhënë.

Cila do të jetë shumatorja e potencialit strategjik bërthamor të Rusisë në fund të vitit 2020? Në përbërje të Flotës Ushtarake Detare (FUD) do të llogariten 14 nëndetëse me 244 shtretër lëshues. Në përbërje të FRDS-së, do ketë afro 250 raketa të bazimit nëntokësor, apo në mjete të lëvizshme. Në përbërje të aviacionit të largët, do ketë afro 80 bombardues strategjik, ku në secilin prej tyre, sipas rregullave të Traktatit Nr.3 mbi shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive, llogaritet një municion bërthamor. Gjithsej pra, kemi  më shumë se 570 shtretër dhe afro 2000 njësi municioni. Në këtë mënyrë, Rusia nuk do ta arrijë kufizimin që rrjedh nga Traktati Nr.3 mbi shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (START treaty), sa i përket shtretërve (700 të dislokuar dhe 800 të dislokuar dhe jo të dislokuar), por në mënyrë të dukshme do t’i përmbyllë këto shkurtime, sa i përket numrit të municioneve (1550 njësi).

Kështu, bëhet reale ajo që tha më 2011, kryekomandanti i FRDS-së, mbi masat për dislokimin e raketave të reja me një numër të kufizuar municioni, duke qenë konform kufizimeve të traktatit. Ndërkohë, municioni i “tepërt” mund të depozitohet në depot e ruajtjes dhe të rimbartet nëpër shtretër nëse del e domosdoshme, për shembull, në rast të tensionimit të situatës ndërkombëtare.