Deri në ditën e zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale në Rusi kanë mbetur dy javë. Mediat ruse analizojnë aktivisht ecurinë e fushatës zgjedhore, veprimet e kandidatëve dhe bëjnë parashikime për situatën pas zgjedhjeve.

Gazeta ruse “Kommersant” («Коммерсант») publikon artikullin me titull «Kandidati №1». Në të konstatohet, se Vladimir Putin mbetet kandidati i preferuar i fushatës elektorale. Megjithatë, paralajmëron botimi, fitorja e Kryeministrit nuk do të thotë aspak kapërcim i krizës politike në vend. Kurrë ndonjëherë më parë Putin nuk ka qenë i detyruar ta fillojë fushatën zgjedhore në rrethana të tilla kaq të pafavorshme. Dhe megjithëse tani shtabi i kandidatit arriti ta ndryshojë situatën, pas kthimit në Kremlin, shkruan gazeta “Kommersant”, Vladimir Putinit do t’i duhet të përballet me sfida mjaft serioze. “Vertikalja e pushtetit”, e krijuar prej tij, nuk funksionon ashtu siç duhet. Reforma politike ka filluar të realizohet në vend, por efektshmëria e saj nuk është bërë evidente ende. Qeverinë pas zgjedhjeve presidenciale e pret një spastrim i mirë, por nëse do të jetë vallë ai radikal - kjo mbetet një pikëpyetje e madhe. Ndërkohë, sipas gazetës, Punin nuk është i gatshëm të tërhiqet nga parimi i përforcimit total të pushtetit dhe forcimit të shtetit në rolin e instrumentit të vetëm të realizimit të reformave.

(Më hollësisht me artikullin mund të njiheni: http://www.kommersant.ru/doc/1877286)

Gazeta e botës së biznesit “Vedomosti” («Ведомости») në artikullin e vet me titull “Nuk bëhet pa Putinin” shkruan mbi dështimin e përpjekjes për nënshkrimin e marrëveshjes shoqërore midis kandidatëve presidencialë. Dokumentin e sugjeroi Sergei Shoigu - Kreu i Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme - dhe po ai është person i besuar, i autorizuar i Vladimir Putinit. Autorët e dokumentit venë në dukje, se dyshimet përkatësisht  rezultateve zyrtare të zgjedhjeve parlamentare shkaktuan krizën politike, ndërsa deklaratat e opozitës mbi paligjshmërinë e zgjedhjeve presidenciale kërcënojnë ta zhysin akoma dhe më thellë Rusinë në krizë kushtetuese. Kandidatëve presidencialë u propozohet të marrin mbi vete angazhimet e parevokueshme për të siguruar transparencën e zgjedhjeve: zhvillimin e numërimit paralel të votave me transmetimin e këtij procesi qytetarëve të vendit nëpërmjet kanaleve të Internetit. Por kandidatët e opozitës nuk pranuan ta nënshkruajnë marrëveshjen. Kundërshtarët e Vladimir Putinit theksojnë se masat e propozuara nuk janë efektive, vetë Putini nuk figuron në mesin e nënshkruesve, kurse marrëveshja ia ngarkon opozitës gjithë përgjegjësinë për krizën e mundshme të legjitimitetit .

(Më hollësisht: http://www.vedomosti.ru/newspaper/article/2012/02/20/276118)

Roman Mamonov