“Në katër vitet e fundit unë kam qenë i angazhuar me detyrën e ndryshimit të pjesëve të veçanta politike të sistemit, ndërsa në momentet aktuale ka ardhur koha për tu marrë më aktivisht me këtë punë”. Me këto fjalë iu drejtua Dimitri Medvediev liderëve të partive të paregjistruara politike. Takimi me ta u zhvillua sot, më 20 shkurt, në Moskë.

Presidenti tashmë ka paraqitur për shqyrtim në Dumën Shtetërore projektligjin për ndryshime në rendin e formimit të Dhomës së Ulët të parlamentit si dhe projektligjet që thjeshtojnë regjistrimin e partive dhe që sigurojnë zgjedhjen e drejtpërdrejtë të guvernatorëve. Të gjitha këto janë baza themelore e reformës politike në shkallë të gjerë në vend.

Por shndërrimet pa pjesëmarrjen në to të së ashtuquajturës opozitë ekstra-sistemike do të ishin të paplota. Dimitri Medvediev parashtroi vizionin e vet në lidhje me këtë proces dhe dëgjoi pikëpamjet e liderëve të partive politike të paregjistruara mbi iniciativat legjislative presidenciale.

Pak kohë para takimit Lideri i “Fronti i Majtë” dhe anëtari i Komitetit organizues të lëvizjes “Për zgjedhje të ndershme” Sergei Udalcov deklaroi, se ka ndërmend t’i propozojë Presidentit për të zgjatur mandatin e tij edhe për 2 vjet. Sipas mendimit të Sergei Udalcov, kjo është e nevojshme për të finalizuar reformën politike.

Edhe pas komunikimit me Dimitri Medvediev ai tha se takimi ishte i dobishëm:

- Dialogu i vonuar është gjithësesi më i mirë se sa mungesa e plotë e tij. Sensacione apo arritje impresionuese gjatë tij nuk pati. Propozimeve radikale që iu bënë për anulimin e zgjedhjeve presidenciale (meqenëse po vjen duke u rritur tensioni në shoqëri) Medvediev iu përgjigj, se nuk gëzon plotfuqishmëri të tilla dhe se kjo gjë mund të vlerësohet si uzurpim i pushtetit. Por në takim u diskutuan megjithatë në mënyrë të detajuar amendamentet ndaj projektligjeve të paraqitura në Dumën Shtetërore. Në bazë të përfundimeve të takimit u formua Grupi i punës.

Kryetari i “Partia e Punës” Konstantin Babkin vuri në dukje bisedën me përmbajtje që u zhvillua me Presidentin Medvediev:

- Takimi zgjati 3 orë dhe në të u prekën tema nga më të ndryshmet. U diskutuan problemet që janë aktualisht në qendër të vemendjes: zgjedhjet, regjistrimi i partive, falja e të dënuarve. Presidenti gjatë gjithë kohës dëgjonte me vemendje të përqendruar, pajtohej me shumë gjëra, me disa të tjera jo. Ai tha se ka ndërmend të arrijë realizimin e të gjitha iniciativave të veta legjislative që para përfundimit të mandatit të tij presidencial.

0Vetë Dimitri Medvediev, i cili u bë dhe iniciator i këtij takimi, e quajti atë të domosdoshëm për të kuptuar se në çfarë drejtimi duhet të zhvillohet sistemi politik i Rusisë. Në radhë të parë për vetë faktin, se udhëheqësit e organizatave politike, të cilët erdhën në takimin me Presidentin, pas miratimit të ligjeve të reja synojnë të regjistrojnë partitë e veta dhe të ndikojnë më aktivisht në jetën politike të vendit.

Ilia Harllamov