Një palë çizme leshi të ngrohta (me shajak), më të voglat në botë, janë përgatitur në qytetin siberian Omsk. Këto këpucka të vockëla dimri, të punuara me lesh dele me përmasën e tabanit më pak se një milimetër, mund t’i shohësh me ndihmën e lupës. Këto çizme i përgatiti artisti Anatoli Konjenko.

Dhjetë vjet më parë, ai u regjistrua në Librin e Rekordeve Ginness, si krijuesi i librit më të vogël në botë.

Miniatura, e përgatitur me një përmasë në më pak se një milimetër, përmban sekretet e saj: duhet të mbash frymën dhe të punosh mes dy rrahjeve të zemrës, tregon për “Zërin e Rusisë”, artisti Anatoli Konjenko:

- Nëse punon tek zemra rreh fort, atëhere dora nis të dridhet, pra, rrjedhimisht edhe mollëzat e gishtave që mbajnë instrumentin. Në këtë mënyrë nuk ia del dot. Prandaj gjithë lëvizjet duhen bërë në mes të dy rrahjeve të zemrës.

Çdo krijim i këtij artisti nga Omsku mund të shoqërohet me epitetin “më e...- më e...”. Njohja ndërkombëtare erdhi për Konjenkon në vitin 1997, pas pjesëmarrjes në Kongresin e XV të Miniaturës, i cili u zhvillua në SHBA. Atje ai paraqiti punën e tij të parë, një supermikrolibër me gjerësi e lartësi nëntë me dhjetë milimetra. Vëllimi me tregimin e Anton Çehovit “Kameleoni”, u shtyp në 30 faqe, me tre ilustrime me ngjyra dhe kopertinë prej ari, argjendi dhe lëkure u regjistrua në Librin e Rekordeve Ginness. Vitin e kaluar Akademia e Rekordeve Botërore (World Records Academy) pranoi si më të voglin në botë akuariumin në miniaturë të krijuar nga Anatoli Konjenko.

Anatoli Konjenko merret me artin e  mikrominiaturës për 30 vjet me rradhë dhe në realizimin e fantazive të veta vazhdimisht shpik nga një gjë të re. Për shembull, nou-hau (know-how) e tij është teknologjia e letrës me qimet e njeriut, apo me kokërrat e orizit, ose të lulekuqes. Në muzeun e Arteve të Bukura të Omskut qëndron vazhdimisht e hapur ekspozita e më shumë se 300 miniaturave të artistit, të cilat mund të shihen vetëm me mikroskop, ose lupë. Këtu gjendet, për shembull, Kulla Eifel, e cila qëndron në hundën e një mushkonje, apo modeli i kitares bas të grupit “Skorpions” (The Scorpions) me përmasë një centimetër, të cilin, Anatoli Konjenko, e përgatiti sëbashku me djalin e tij Stanisllavin, me rastin e ardhjes së këtij grupi të famshëm muzikor në Omsk. Korpusin e instrumentit e realizuan me material nga dhëmbët e mamuthit, bishtin nga gjembat e kaktusit, kordat me ar.

Vetë Anatoli Konjenko, nga të gjitha punët e tij veçon karkalecin që luan në violinë. Ai është simboli i krijimtarisë time, thotë artisti, ndonëse vizitorëve në ekspozita u pëlqen më shumë karvani i deveve në vrimë të gjilpërës.

Maria Domnickaja