U zhvillua dasma e parë në Pallatin prej akulli të lidhjes së martesave në rrethin polar të Arktikut. Në fshatin e vetëm prej bore në Rusi, në qarkun e Murmanskut, përveç zyrës së regjistrimit të martesave ka edhe kinema prej akulli dhe objekte turistike nga vende të ndryshme të botës.

Ky projekt i pazakontë ka tërhequr ndërkaq vëmendjen e turistëve

Në qytetin e rrethit polar, Kirovsk, fshati prej dëbore po ngrihet, tashmë, për të katërtën herë. Megjithëse, ideja e hoteleve prej akulli ka marrë përhapje të gjerë anë e kënd botës, nuk është marrë askund tjetër vendimi për të ndërtuar një fshat të tërë prej akulli, në një shesh prej 1500 m/katrore. Këtë vit fshati do t’u japë turistëve mundësinë të kryejnë udhëtimin e përfytyruar nëpër botë, thotë autori i projektit, Vladimir Komjagin:

- Duke ardhur te ne, mund të vizitosh shumë vende të botës. Duke shëtitur nëpër fshatin prej dëbore, shkojmë në Gjermani, Francë, shohim Murin e Berlinit, Mulen Ruzh francez. Mund të ulesh nën pemën e ullirit në Spanjë, t’i hedhësh një sy Afrikës, vendeve skandinave dhe pastaj të shikosh Meksikën.

Objektet turistike të vendeve të ndryshme janë punuar me mjeshtëri të lartë nga skulptorë prej Shën Petersburgut, Karelias dhe qarkut të Murmanskut. Ata kanë ndërtuar me akull një kinema, në të cilën shfaqet një film mbi krijimin e fshatit prej dëbore.

Vladimir Komjagin tregon, se në Pallatin e lidhjes së martesave gjithçka është bërë prej akulli, jo vetëm muret dhe mobiljet, por edhe libri i regjistrimit, ndriçuesit, madje edhe gotat e shampanjës:

- Ky Pallat është mjaft i vëllimshëm me një sipërfaqe prej afro 500 m/katrore, me një sallë ceremonie të madhe me kolltukë prej akulli për nusen dhe dhëndërrin. Është edhe salla e oxhakut për të ftuarit e kësaj ngjarje, ku pihet shampanjë në gota akulli ulur përreth oxhakut prej akulli. Nëpër salla të ndryshme tingëllon muzikë diverse. Akulli ka një veti që e gëlltit tingullin, prandaj në secilin mjedis i bie të lëshosh muzikë veçmas.

Kërkesat për t’u regjistruar në këtë Pallat unikal të regjistrimit të martesave filluan të paraqiten më herët se inaugurimi vetë atij. Çmimi i dasmës në akull është 10.000 rubla (330 dollarë). Ceremonia zhvillohet njësoj si në një zyrë regjistrimi të zakonshme martesash, ku përfaqësuesi zyrtar regjistron çiftin. Për përveç dëshmisë së martesës çiftit i jepet edhe një çertifikatë e rastit mbi regjistrimin e martesës në Pallatin e akullt të fshatit prej dëbore.

Ceremonia e parë e martesës u zhvillua më 17 shkurt. Çifti martesor (nusja nga Kirovi, dhëndërri nga Rostovi, 200 km në verilindje të Moskës) është i entuziazmuar nga dasma. Thonë, se kujtimet do mbeten të paharrueshme për gjithë jetën. Të ftuarit dhe çifti ishin veshur ngrohtë, askush nuk ngriu, madje edhe brenda Pallatit vetë, sipas parametrave të rrethit polar nuk ishte ftohtë, pothuaj minus 5 gradë. Deri në fund të marsit të gjitha ditët e regjistrimit të martesave janë prenotuar tashmë.

Maria Domnickaja