Rusishtja do të bëhet gjuhë e dytë shtetërore në Letoni, në qoftë se për ndryshimin e statusit të saj në referendumin e ditës së shtunë do të japin votën e vet më shumë se 50% e votuesve. Nëse nuk do të arrihet të grumbullohet numri i mjaftueshëm i votave, iniciatorët e referendumit do të apelojnë në Parlamentin Evropian.

Autoritetet e Letonisë dalin kategorisht kundër ndryshimeve në Kushtetutë në lidhje me gjuhën e dytë shtetërore. Presidenti Andris Berzins premtoi të japë dorëheqjen në rast të fitores së përkrahësve të rusishtes, ndërsa praktikisht e gjithë elita drejtuese pushtetore nuk lodhet së përsërituri: votimi do të destabilizojë situatën në republikë.

Autoritetet reagojnë në mënyrë kaq agresive sepse referendumi zbulon edhe një sërë problemesh të tjera të mprehta sociale, tregoi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” njëri nga zhvilluesit e projektligjit të ndryshimeve, Lideri i lëvizjes “Për gjuhën amtare” Eugjeni Osipov:

- Askush nuk ka ndërmend të refuzojë të folurin në letonisht apo të dalë kundër gjuhës letoneze. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve për të futur gjuhën e dytë shtetërore në përdorim. Gjuhën letoneze nuk e kërcënon asgjë përveç se vetë autoritetet, të cilat ndjekin një politikë të neveritshme, të shëmtuar sociale, falë së cilës dhjetra mijëra letonezë braktisin vendin dhe vendosen me qëndrim të përhershëm në Irlandë, Angli, Gjermani, Holandë.

Autoritetet letoneze po ndjekin një politikë antiruse që prej 20 vjetësh, por tani situata është në prag të konfliktit kombëtar. Sepse pakica kombëtare, të drejtat e së cilës shkelen brutalisht, përbën 40% të popullsisë së Letonisë, vë në dukje analisti politik Mihaill Aleksandrov:

- Rusët përpiqen të fitojnë të drejtat e veta themelore më elementare qytetare dhe politike, me qëllim që të jenë në pozita të barabarta me letonezët. Politika që ka për qëllim diskriminimin e një grupi etnik të shoqërisë nuk do të sjellë kurrë asgjë të mirë. Rusët kanë duruar diskriminimin për një kohë mjaft të gjatë për shkak të natyrës së tyre të qetë, jo konfliktuese, por politika e autoriteteve letoneze, në fund të fundit, i zemëroi keq fare ata. Nëse ato do të vazhdojnë edhe më tej këtë konfrontim të ashpër me komunitetin rus, atëhere pakënaqësia mund të shpërthejë në rrugë: do të fillojnë demonstratat, aksionet e protestës, trazirat. Ndërsa të gjitha këto mund të jenë të mbarsura me pasoja që shkojnë larg.

Pas votimit autoritetet e Letonisë do të duhet të zgjedhin: ose t’i bëjnë lëshime popullsisë rusishtfolëse, ose të vazhdojnë diskriminimin. Por është i mundur edhe varianti kompromis - dhënia e statusit të gjuhës zyrtare rusishtes, shprehet me bindje të plotë mbrojtësja letoneze e të drejtave të njeriut Zhanna Karelina:

0- Statusi që i jepet gjuhëve të pakicave kombëtare në shumë vende të tjera. Gjuha suedeze në Finlandë, gjuha skoceze në Britaninë e Madhe nuk përdoren për komunikim ndërkombëtar dhe nuk janë gjuhë shtetërore, por përfaqësuesit e këtyre pakicave kombëtare kanë të drejtë të komunikojnë në gjuhën e tyre amtare në çdo institucion shtetëror dhe, sigurisht, gëzojnë të drejtën e shkollave të veta kombëtare.

Aleksandra Zaharova, Valentina Kaçaeva