Deri në ditën e zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale në Rusi kanë mbetur pak më shumë se 2 javë. Votimi para afatit për zgjedhjet presidenciale tashmë filloi në anijet në lundrim, në stacionet polare dhe në skaje të tjera të largëta të vendit. Në mjetet e informimit masiv po vazhdojnë debatet e kandidatëve presidencialë dhe personave të besuar, të autorizuar të tyre, po përgatiten aksione të reja masive të mbështetësve të tyre.

Këtë javë në gazetën “Komsomolskaja pravda” («Комсомольская правда») u botua artikulli i radhës, i pestë, i kandidatit për president të Rusisë Vladimir Putin me titull “Ndërtimi i drejtësisë. Politika sociale për Rusinë”. Në të autori përshkruan në detaje realizimin e politikës sociale në Rusi dhe objektivat e autoriteteve në këtë drejtim jashtëzakonisht të rëndësishëm. «Kanditati №1», siç e quajnë në shtyp Vladimir Putin, ka bërë tashmë disa udhëtime në rajonet ruse dhe ka zhvilluar një sërë takimesh në Moskë.

Ndërkohë, rivalët e tij kryesorë - Lideri i Partisë Komuniste të Federatës Ruse (KPRF) Gennadi Zyuganov dhe Udhëheqësi i Partisë Liberal Demokratike të Rusisë (LDPR) Vladimir Zhirinovski - këtë jave lëshuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën kërkuan nga organet pushtetore sigurimin e barazisë së garantuar me ligj të të gjithë kandidatëve presidencialë për zhvillimin e fushatës agjitative zgjedhore. Në kohën e tanishme në këtë fushë vërehet një mosbalancim i qartë, shprehet Gennadi Zyuganov.

Më 16 shkurt Lidhja e Votuesve nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e kontrollit ndaj zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale me KPRF dhe shtabin zgjedhor të kandidatit presidencial, miliarderit Mikhail Prokhorov. Në kuadër të këtij bashkëpunimi do të ndërmerret trajnimi i vëzhguesve si dhe do të krijohen qendra të posaçme informative në rajonet e vendit.

Ndërkohë, përkrahësit e Vladimir Putin dhe oponentëve të tij po përgatiten në mënyrë aktive për aksione të reja masive në mbështetje të kandidatëve të tyre. Bashkëmendimtarët e Kryeministrit aktual rus ranë dakort me autoritetet e kryeqytetit për të zhvilluar një marshim nëpër rrugën “Frunzenskaja”, përgjatë lumit Moska, dhe një miting në stadiumin moskovit “Lluzhniki” më 23 shkurt, në Ditën e Mbrojtësit të Atdheut. Në këto aktivitete do të marrin pjesë rreth 100.000 veta. Në përkrahje të Vladimir Putin do të dalin më 18 shkurt nëpër rrugët e Shën Petersburgut më shumë se 10.000 qytetarë. Më 25 shkurt opozita ka ndërmend të organizojë një tubim me rreth 20.000 pjesëmarrës po në këtë qytet.

Në kryeqytetin rus në Ditën e Mbrojtësit të Atdheut do të mbahen gjithashtu mitingje të komunistëve, përkrahësve të LDPR si dhe përfaqësuesve të bashkimeve të tjera.

0Përveç kësaj, më 20 shkurt në Moskë do të zhvillohet mitingu i Partisë “Rusia e Drejtë” nën moton “Jo censurës!”, kurse më 18 dhe 19 shkurt janë planifikuar 2 gara automobilistike: e mbështetësve të Vladimir Putin dhe përkrahësve të opozitës. Dhe së fundi, më 26 shkurt mund të mbahet mitingu nën moton “Rrethi i madh i bardhë” kundër falsifikimit të zgjedhjeve presidenciale. Pjesëmarrësit e tij do të rreshtohen në një zinxhir të gjatë njerëzor në anën e brendshme të autostradës “Sadovoje Kalco” («Садовое кольцо») të kapur dorë për dore. Tani për tani është ende e paqartë nëse do të pengojnë ata qarkullimin rrugor: kjo do të varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga leja e Bashkisë së Moskës.

Ilia Harllamov