Programi bërthamor iranian ka arritur në një nivel të ri zhvillimi. Arritjet më të fundit në sferën bërthamore i paraqiti të mërkurën, më 15 shkurt, Presidenti Mahmoud Ahmadinexhad duke deklaruar - se askush nuk do të mund të pengojë dot vendin e tij për të “zotëruar atomin për qëllime paqësore”.

Vendet perëndimore dhe Izraeli kanë një këndvështrim tjetër ndaj kësaj: sipas mendimit të ekspertëve, nuk është e largët periudha e fillimit të veprimeve aktive luftarake kundër Iranit. Kurse në Moskë paralajmërojnë: Rusia nuk ka ndërmend të bashkohet me sanksionet anti-iraniane në kurrfarë rrethanash.

Perëndimi, me sa duket nga të gjitha, edhe vetë nuk beson fort në suksesin e sanksioneve dhe vazhdon të rrisë presionin ushtarak mbi Teheranin. Sipas fjalëve të Kryetarit të Komitetit të Dumës Shtetërore të Rusisë për Mbrojtjen, admiralit Vladimir Komojedov, rreth Iranit është tashmë përqendruar grupimi ushtarak i SHBA dhe NATO-s, i cili është i armatosur me 450 raketa.

Nuk i shërben stabilizimit edhe zhvillimi aktual i situatës rreth Sirisë. Po ai ekip me në krye Uashingtonin dhe fqinjët arabë të Damaskut, që u përfshinë në të, po përpiqen me këmbëngulje të arrijnë përmbysjen e regjimit të Bashar Al-Assad. Dhe nuk ka fare gjasa që ato të tërhiqen: sepse veprimet kundër Iranit dhe Sirisë janë hallka të të njëjtin plan perëndimor, shprehet eksperti ushtarak rus Viktor Baranjev:

- Sigurisht, objektiv №1 për Perëndimin është Irani. Në qoftë se puna do të shkojë deri në fillimin e veprimeve reale ushtarake, atëhere goditjet kryesore do të jepen mbi objektet bërthamore të Iranit dhe qendrat strategjike të tij. Përsa i përket Sirisë, duhet thënë, se Perëndimi do të përpiqet të bllokojë goditjet e mundshme të trupave siriane.

I hedhin benzinë zjarrit edhe njoftimet mbi sulmet terroriste. Më parë këtë javë terroristët tentuan të sulmojnë diplomatët izraelitë në Tbilisi dhe Nju Delhi. Autoritetet e Izraelit kanë akuzuar për organizimin e këtyre sulmeve Iranin si dhe grupimin shiit libanez “Hezbollah”. Përveç kësaj, disa shpërthime gjëmuan edhe në Bangkok. Autoritetet tajlandeze gjithashtu kanë ardhur në përfundimin se sulmet terroriste ishin përgatitur nga iranianët, njëri nga ata bile u arrestua. Në Teheran i hedhin poshtë në mënyrë kategorike këto akuza.

Por nëse nuk është Irani, atëhere kush i ndërmerr këto sulme? Siç thonin romakët e lashtë : “Quid prodest” - “Kërko atë, të cilit i leverdis kjo gjë”. Tashmë që prej kohësh nuk është më sekret për askënd se shumë grupime terroriste bashkëveprojnë në mënyrë të frytshme me disa shërbime sekrete. E përse të mos i hedhin ata nja dy pretekste komunitetit ndërkombëtar për të justifikuar domosdoshmërinë e aplikimit urgjent të demokracisë në ndonjë vend të veçantë?

0Në Moskë venë në dukje se disa vende mund ta perceprojnë situatën aktuale si një “dritare mundësish” dhe të ndjekin në mënyrë cinike rrugën e ndryshimit të regjimit në Teheran. Siç deklaruan në MPJ, Rusia e përjashton plotësisht mundësinë e pjesëmarrjes së vet në këtë skenar. Komuniteti ndërkombëtar mund dhe duhet të ndihmojë në zgjidhjen e konflikteve me mjete paqësore, pa i imponuar vendeve sovrane receta të gatshme.

Igor Sileckij