Presidenti Dimitri Medvediev  premtoi të paraqesë projektligjin për ndryshimet në rregullin e formimit të Dumës Shtetërore menjëherë pas takimit me udhëheqësit e partive politike të regjistruara. Ai u mbajt të mërkurën, më 15 shkurt.

Kryetari i shtetit kujtoi se tashmë paraqiti për shqyrtim në Dumën Shtetërore projektligjet, të cilat destinohen për të lehtësuar në mënyrë të qenësishme regjistrimin e partive dhe parashikojnë zhvillimin e zgjedhjeve të drejtpërdrejta të guvernatorëve rajonalë. Kështu, në dispozicion të Dhomës së Ulët të parlamentit rus do të vihet kodi i të gjitha ligjeve që kanë të bëjnë në shkallë të gjerë me reformat politike në vend. Presidenti Medvediev vuri në dukje se: pavarësisht nga vështirësitë ekzistuese, demokracia po zhvillohet në Rusi:

- Të gjitha projektligjet, të cilat u paraqitën prej meje në Dumën Shtetërore, janë të drejtuara për zhvillimin e instituteve të demokracisë në vendin tonë. Unë mendoj, se në vendin tonë ne kemi një demokraci të re, në rritje dhe problematike, por demokraci, megjithatë, me të gjitha atributet e saj. Ajo, sigurisht, ka nevojë për përsosje të mëtejshme. Pikërisht kjo është arsyeja që unë mora vendimin për paraqitjen e projektligjeve, të cilat synojnë reformimin e sistemit politik.

Presidenti deklaroi gjithashtu se javën e ardhshme ka ndërmend të takohet me përfaqësuesit e forcave të paregjistruara politike. Kjo është e nevojshme në mënyrë që të merren parasysh pikëpamjet e tyre në lidhje me ecurinë e reformave politike në Rusi. Për më tepër se organizatorët e mitingjeve të paradokohshme të opozitës në Moskë dhe qytete të tjera të Rusisë, midis të cilëve kishte dhe udhëheqës të një sërë organizatave joqeveritare, shpesh herë interpretojnë gabimisht, në mënyrë të shtrembëruar përpjekjet e autoriteteve për ruajtjen e stabilitetit politik.

0Deri tani nuk është bërë akoma e ditur lista përfundimtare e udhëheqësve të partive të paregjistruara, të cilët do të takohen me Kryetarin e shtetit. Por Bashkëkryetari i Partisë së paregjistruar Liria Kombëtare (PARNAS) Vladimir Rrizhkov tashmë shprehu gatishmërinë e vet për të diskutuar me Dimitri Medvediev kërkesat e pjesëmarrësve të protestave nën moton “Për zgjedhje të ndershme” dhe këndvështrimin e opozitës ndaj reformave politike në vend.

Ilia Harllamov